Contribute and be proud of defending Software Freedom from monopolist control! We are intervening in the Apple vs. EC case: Find out more.

News

Komisioni Europian i përgjigjet kërkesës së FSFE-së për informacion mbi Horizon 2020

më:

Drejtoria e Përgjithshme e Kërkimeve dhe Risive e Komisionit Europian i përgjigjet një kërkese të bazuar në Lirinë e Informimit (FOI), mbi përdorimin, zhvillimin dhe hedhjen në qarkullim të software-it nën programin Horizon 2020 - parashtruar nga FSFE-ja më 9 janar, 2017.

Me këtë kërkesë FOI, FSFE-ja synonte drejtpërsëdrejti të hidhte dritë mbi sa para shpenzohen për përdorim dhe blerje licencash software-i pronësor përmes fondeve të Horizon 2020 për projektet përfituese. Respektivisht, synonte të mësonte se a grumbullohen apo jo dhe ç’lloj të dhënash, kur bëhet fjalë për licenca Software-i të Lirë. Kërkesa FOI pasoi botimin nga FSFE-ja të pozicionit të vet për përkrahjen e Software-it të Lirë dhe Standardeve të Hapura nga Horizon 2020 dhe krejt procesi kërkimor i financuar me para publike.

Megjithatë, përgjigja nga Komisioni zbuloi se nuk grumbullohet informacion rreth se si shpenzohen fondet e BE-së, kur vjen puna për software-in e përdorur nga projektet përfituese brenda programit Horizon 2020:

"[...] kontrolluam për të parë nëse gjendej informacioni i kërkuar dhe shërbimet kompetente të Komisionit na bënë të ditur se Komisioni Europian nuk grumbullon informacion në mënyrë sistematike lidhur me software me burim të hapur të përdorur apo zhvilluar nën grante nga Horizon 2020, ngaqë kjo nuk përbën një domosdoshmëri raportimi të kërkuar në bazat ligjore të Horizon 2020-s. Për pasojë nuk jemi në gjendje t’ju furnizojmë informacionin që kërkoni. E njëjta gjë vlen edhe për të dhëna lidhur me pagesa tarifash licencimi apo zhvillimi software nga projekte brenda kuadrit të Horizon 2020-s."

Zbërthim i përgjigjes së Komisionit Europian

Komisioni Europian e përligj mungesën e informacionit me argumentin se "nuk është e detyrueshme ligjërisht" të grumbullohen të dhëna lidhur me përdorimin dhe blerjen e licencave software.

Sipas Nenit 14(1) të Rregullores (së BE-së) No 1291/2013 mbi të cilën bazohet Horizon 2020, vëmendje e veçantë në platformë i duhet kushtuar zhvillimit dhe aplikimit të teknologjive industriale kyçe, si dhe teknologjive të reja dhe të ardhme; dhe duhet të kontribuojnë në nismën Plan Dixhital për Europën. Lidhur me këtë pikë të veçantë, vlerësimi i brendshëm i Horizon 2020-s duhet të shqyrtojë efektshmërinë dhe përdorimin e burimeve, me vëmendje të veçantë ndaj problemeve që prekin disa fusha njëherësh dhe elementëve të tjerë të prekur në Nenin 14(1). Software-i hyn pa dyshim në krejt pikat mbi të cilat duhet të përqendrohet Horizon 2020, kur vjen puna për teknologjitë industriale dhe ato të reja, dhe si pjesë e Planit Dixhital për Europën. Mungesa e vëzhgimit të përdorimit të burimeve që projektet nën Horizon 2020 bëjnë lidhur me zhvillimin dhe përdorimin e software-it në Kërkime dhe Risi nuk do të bëjë të mundur të peshohen efikasiteti dhe përdorimi i burimeve Horizon 2020 në vlerësim e brendshëm të projektit.

Dhe vërtet, në Raportin e parë Vjetor të Vëzhgimit, 2014 që përqendrohet në sendërtimin e programit për vitin e parë, të dhënat lidhur me pjesën e kontributit financiar të BE-së në Kërkime dhe Risi për sektorin TIK mungonin. Sipas raportit vjetor të dytë, atë për 2015-n, të dhëna paraprake tregojnë se më shumë një e pesta e fondeve të BE-së nën Horizon 2020 shkon për Kërkime dhe Risi në sektorin TIK.

Ç’nënkupton "no information" për Software-in e Lirë dhe Shkencën e Hapur

Mungesa e të dhënave rreth përdorimit të software-it brenda projekteve përfituese të Horizon 2020-s e bën thuajse të pamundur vlerësimin e saktë të sasisë së software-it, qoftë pronësor apo të lirë, të përdorur apo zhvilluar nën grante Horizon 2020.

Duke patur parasysh se sot, shkencëtarët, pavarësisht fushës së tyre të studimit, varen nga software-i, për të kryer me sukses kërkimet e tyre, është e pamohueshme që thuajse çdo projekt përfitues shpenzon një sasi të konsiderueshme nga paratë e dhëna për blerje licencash software-i. Fakti që Komisioni Europian nuk grumbullon të dhëna rreth se si shpenzohen paratë publike për licenca software-i, përbën shpërfillje të një pjese të rëndësishme të kërkimit modern.

Si rrjedhim, pa të dhënat përkatëse, proceset e vëzhgimit dhe vlerësimit të Horizon 2020-s s’mund të nxjerrin përfundime me vlerë. Faktorë kritikë, të tillë si ripërdorimi i software-it të zhvilluar me fonde nga Horizon 2020, ose kosto për riblerje të të njëjtave licenca, s’mund të zhbirohen, prandaj s’mund t’i shpien vendim-marrësit në zgjidhje optimale për financimet. Sidoqoftë, ndërlikimi më domethënës është fakti që Komisioni Europian s’është në gjendje të provojë me një farë sigurie se Open Access-i, dhe si rrjedhim edhe Shkenca e Hapur, dy nga parimet themelore të Horizon 2020-s, sendërtohen në praktikë. Ashtu siç argumentohej edhe në artikullin e FSFE-së, Shkenca e Hapur s’mund të arrihet, as të jetë e qëndrueshme, pa qenë Software-i i Lirë pjesë përbërëse e rëndësishme e saj.