"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

News

Zgjedhjet parlamentare në Gjermani: Pozicionet e partive lidhur me Software-in e Lirë

më:

Sot, Free Software Foundation Europe boton pyetjet e veta lidhur me Software-in e Lirë dhe zgjedhjet, referuar atyre parlamentare gjermane të kësaj vjeshte, që do të zhvillohen më 22 shtator. Pyetjeve që mbulonin çështje si kontrolli i përdoruesve mbi pajisjet e tyre elektronike, dhënia publikut e programeve të kompjuterave të financuar nga paraja publike, si Software i Lirë, dhe patentat mbi software-in, u janë përgjigjur krejt partitë politike.

Nga përgjigjet është e qartë se shumica e partive tani dinë më tepër rreth Software-it të lirë, se sa dinin në të kaluarën. Më poshtë vijon përkthimi -- i bërë nga vullnetarë të FSFE-së -- i përmbledhjes së FSFE-së dhe një vlerësim i krejt përgjigjeve. Për më tepër, FSFE-ja i nxit veprimtarët e Software-it të Lirë t’i përdorin këto pyetje si frymëzim për pyetjet e tyre ndaj kandidatëve në nivel vendor apo federal.

Së pari, diçka të pëlqyeshme: SPD, të Gjelbrit dhe partia e Piratëve, Linke dhe Votuesit e Lirë dëshirojnë që software-i e zhvilluar me financim nga administrata publike të jepet për publikun sipas licencash të lira. SPD-ja pohon se "software-i i financuar publikisht do të duhej të ishte i passhëm për publikun e përgjithshëm sa më gjerë të jetë e mundur". Të Gjelbrit në manifestin e tyre kërkojnë hedhjen në qarkullim të programeve të tilla nën trajtën e Software-it të Lirë (shihni përmbledhjen e FSFE-së mbi zgjedhjet në Gjermani dhe manifestet e partive (në Gjermanisht)). Në përgjigjen e tyre ata e përligjin këtë kërkesë me përfitime si "potenciale më të mëdha dhe më të qëndrueshëm novacioni, shtrirjen e zotësisë në përdorimin e software-it, por edhe përparësitë në çështje të sigurisë". Ata kritikojnë vazhdimisht migrimin e Ministrisë së Jashtme prej Software-it të Lirë. Si Partia e Piratëve, ashtu edhe Partia e Majtë, mbrojnë idenë e hedhjes në qarkullim publik të krejt software-it dhe lëndës së financuar nga shteti. FDP-ja nuk e trajton drejtpërdrejt pyetjen, por në përgjithësi pretendon të "marrë në konsideratë si software-in pronësor, ashtu edhe atë të Lirë" për prokurimet publike.

CDU-ja nga ana e vet e vë gishtin te "kufizime të ligjit të buxhetit" kur vjen puna për publikimin dhe shpënien përpara të Software-it të Lirë nga administrata publike. Në përgjigjen e tyre, ata i referohen një paragrafi te Bundeshaushaltsordnung (BHO § 63 para. 2). Qeveria federale megjithatë deklaron sa vijon në dokumentin ligjor shoqërues të the udhëzimeve mbi migrimin (në Gjermanisht): Ky paragraf "nuk përbën kufizim për përhapjen e software-it" (f. 41) dhe "në rastin praktikisht më të rëndësishëm, zhvillimin e mëtejshëm të software-it të licencuar sipas GPL-së, një autoritet publik mund të ndajë me palë private pjesët e zhvilluara prej tij, pa kërkuar pagesa licence" (f. 43). Në kontrast me sa më sipër, këto udhëzime nxjerrin në pah një problem te shpërndarja falas për palë private, e cila synon zhvillimin e software-it të ri ose vazhdimin e zhvillimit të software-it jo copyleft. Ia vlen të vihet në dukje se gjatë tetë vjetëve të shkuar në qeverisje, CDU-ja nuk e ka përmirësuar ligjin BHO, nëse e percepton si problematik. Më tej, CDU/CSU deklarojnë se në çdo rast, do të duhej parë "nëse modifikimet e dukshme të software-it do të lejonin të përdorej për qëllime të jashtëligjshme" dhe nëse do të ishte kështu, software-i nuk do të duhej hedhur në qarkullim publik.

Mospranimi i hedhjes në qarkullim të një versioni GNU/Linux të software-it ElsterFormular për taksat (në Gjermanisht) gjen mungesë të kuptuari, keqardhje dhe kriticizmit nga ana e partive. FDP-ja e vë gishtin te pavarësia nga platformat e versionit të ardhshëm të Elsteronline-it, i cili nuk do të ketë nevojë për Java-n që të xhirojë. Prapëseprapë, atyre u vjen keq që Elsterformular-i nuk është i passhëm në një version të pavarur nga platforma. Votuesit e Lirë e perceptojnë varësinë e tanishme nga platforma si të pakuptueshme nën dritën e sigurisë së sistemit. Varësia nga një kompani e vetme zhvillimi sistemesh operative është e papranueshme për SPD-në dhe ata duan të angazhohen për "të bërë software përkatës edhe për sisteme operative alternative". Të Gjelbrit dëshirojnë të mbrojnë mundësinë e përdorimit të ElsterFormular-it nga përdoruesit e sistemeve operative të Lira. Partia e Majtë e ngre zërin në kriticizmin e vet: "Ofrimi i Elster-Formular-it vetëm për Microsoft Windows dhe mospranimi për të hedhur në qarkullim versione për GNU-Linux dhe Mac OS X nga Bayerisches Landesamt für Steuern (administrata bavareze e taksave), në dorë të të cilës është zhvillimi, është i papranueshëm." Piratët kërkojnë hedhjen në qarkullim publik të software-it – edhe pse mund të jetë me cilësi të dobët – dhe të dokumentimit të tij sipas një licence të Lirë, për t’u lejuar të tjerëve zhvillimin e mëtejshëm të software-it.

Të gjitha partitë pajtohen me idenë se autoritetet do të duhej të kërkonin tërë të drejtat (hyrje në kodin burim, të drejtën për zhvillim të mëtejshëm (edhe nga palë të treta), të drejtën për t’ua shpërndarë software-in të tjerëve) kur kontraktojnë zhvillim software-i. FDP-ja pohon: "Kjo krijon pavarësi nga prodhuesi, besueshmëri strategjike dhe liri zgjedhjeje kur përzgjidhet një mundësues shërbimesh." SPD-ja dhe të Gjelbrit i përligjin kryesisht kërkesat e tyre nga këndvështrimi i sigurisë së TI-s. Sipas Linke-s, shteti "duhet të sigurojë maturi mbi mënyrën se si shpërndahet software-i dhe përdorimin e kësaj maturie për interesin e përbashkët". CDU-ja i jep "që në fillim rëndësi të veçantë [...] mundësisë së zhvillimit të mëtejshëm të software-it" në të ardhmen. Piratët dhe të Gjelbrit vënë në dukje që të drejtat e përdorimit qeveritar janë kusht i nevojshëm për publikimin e software-it të administratës publike sipas një licence të Lirë, siç kërkohet prej partive. Votuesit e Lirë deklarojnë që ata do të shihnin mundësinë e vendosjes së gjobave për zyrtarë dhe nëpunës që nënshkruajnë kontrata pa këto të drejta përdoruesi.

Të pyetura rreth kontrollit mbi pajisjet celulare, partitë kryesisht përqendrohen në anët e mbrojtjes së të dhënave. SPD-ja sheh "sfida veçanërisht për sa i përket të drejtës së vetë-vendosjes informative". Të Gjelbrit, Linke, Piratët dhe SPD-ja kërkojnë teknologji miqësore ndaj mbrojtjes së të dhënave, si një përmirësim fillestar ("Mbrojtje të dhënash përmes teknologjish"), ndërsa CDU-ja/CSU-ja, FDP-ja dhe Votuesit e Lirë synojnë një edukim më të mirë të qytetarëve për këto çështje. Por partitë nuk i përgjigjen pyetjes rreth të drejtave që do të duhej të kishin përdoruesit mbi software-in e këtyre pajisjeve – pyetje që, për shembull, bëhet nga fushata FreeYourAndroid.org e FSFE-së.

Lidhur me subjektin "Nisje e Sigurt" të tëra partitë janë në një mendje: Dokumenti i qeverisë federale përmban kërkesa të rëndësishme të cilat ato duan t’i përkrahin dhe sendërtojnë. "Me sendërtimin e Nisjes së Sigurt, zotëruesve të pajisjeve TI u kufizohet mundësia e kontrollit tërësor mbi lëndën dhe aplikacionet", shkruan Partia e Majtë. FDP-ja dëshiron të "sigurohet që përdoruesit mund të marrin një vendim mbi pajisjet e tyre duke qenë të informuar", dhe CDU-ja dëshiron të ndjekë këtë çështje në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Në përgjigjen e tyre të hollësishme Piratët shkruajnë: "Sistemet të cilët ua pengojnë përdoruesve instalimin e një software-i të dhënë, janë të papranueshme politikisht dhe ekonomikisht. Kjo shpie pashmangshmërisht në promovim oligopolesh ose monopolesh në tregun e software-it. Por më e rëndësishme është rëndësia shoqërore dhe politike e kontrollit mbi sistemet TI [....]". Të Gjelbrit kanë dyshime mbi se si do t’i vërë në jetë direktivat e dokumentit qeveria "me lidhje të thella me shërbimet Microsoft" dhe SPD-ja kërkon një "nismë në shkallë europiane [...] që të lejojë që këto synime të jenë jo vetëm shprehje dëshirash politike, por që atyre të mos iu ndahen."

Me përjashtim të CDU-së dhe Votuesve të Lirë, krejt partitë politike përkrahin licencimin pa pagesë të standardeve. Të Gjelbrit vënë në dukje kërkesën e tyre në Enquete Kommission "Internet und Digitale Gesellschaft" (EIDG, komisioni i vëzhgimeve lidhur me internetin dhe shoqërinë dixhitale) me të cilën dëshirojnë ta vënë administratën publike nën detyrimin që ta përshpejtojë bërjen e sistemeve të saj TI të ndërveprueshëm dhe jetëgjatë ", që të jenë të pavarur nga interesat e aktorëve individualë të tregut në zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve." Kriticizmi për SAGA-n, udhëzimet gjermane për standardet TI në organizmat qeveritare federale, vjen nga Partia e Majtë dhe Piratët. Partia e Majtë nuk sheh te specifikimet pa kufizime dhe pagesa licencash impuls për sendërtim në rritje të Software-it të Lirë. "Mbi këtë lypset vullnet aktiv politik dhe veprim proaktiv i qeverisë federale", thotë Linke. Piratët kritikojnë faktin që formati ODF te SAGA është vetëm një rekomandim, çka shpie në faktin "që formate nga software jo i lirë dhe formate të mbyllur mund të përdoren ende në praktikën administrative." Për këtë arsye, ata e konsiderojnë SAGA thjesht një "tigër prej letre".

Për fat të keq CDU-ja nuk sheh ndonjë problem te reklamat në sajte të administratës publike për software jo të lirë, për sa kohë që reklama të tilla i shërbejnë përdorshmërisë. Partitë e tjera nuk e pranojnë këtë lloj reklamash, dhe duan t’i parandalojnë ato në të ardhmen. Të Gjelbrit në përgjigjen e tyre i referohen kërkesës së tyre "Reklamat për software pronësor në sajtet e ministrive federale dhe administratës publike" (nr protokolli për versionin në letër 17/8951) në të cilën trajtuan këtë problem, dhe diskutimin vijues mbi këtë subjekt në këshillin e planifikimit TI. Votuesit e Lirë ofruan ndihmën e tyre për zgjidhje në nivel bashkiak.

Puna e vazhdueshme e FSFE-së kundër patentave mbi software-in jep efekte: Sot krejt partitë në shkallë federale pajtohen me idenë se patentimi i software-it do të duhej kufizuar me efektivitet. Për këtë ato i referohen kërkesës nga ana e krejt grupeve parlamentare, të titulluar "Të sigurohet konkurrenca dhe dinamika e risive në sektorin e software-it - kufizoni me efektivitet patentimin e programeve të kompjuterit".

CDU-ja/CSU-ja është përgjithësisht pro përdorimit të "Lojërave Serioze", pra lojërave didaktike me synim parësor dhënien e dijeve në mënyra zbavitëse, në shkolla dhe universitete, dhe ka në mendje dhënien e këtyre lojërave për publikun sipas një licence të Lirë. FDP-ja dëshiron që programimit t’i afrohen më tepër fëmijë dhe që "të bëhet e mundur që ndihmuesit e mësimdhënies, që blihen rishtas, të mund të përdoren në të gjitha platformat". Votuesit e Lirë dëshirojnë të promovojnë Software-in e Lirë në sektorin bashkiak. Të Gjelbrit kërkojnë veçanërisht një praktikë të qëndrueshme prokurimesh për software-in e financuar nga sektori publik, vazhdojnë të kritikojnë hapat prapa, të tillë si ai i Ministrisë së Jashtme dhe duan të japin shembulin e mirë duke hedhur në qarkullim për publikun software-in e tyre ("betatext"). Linke e sheh Software-in e Lirë në kontekstin e ekonomisë së pronës së përbashkët dhe përsiat rreth rrugësh financimi të zhvillimit të Software-it të Lirë, p.sh. duke përdorur një pjesë të pagesave për transmetime radio-televizive. SPD-ja dëshiron që së pari të promovojë Software-in e Lirë në administratë. Në komisionin e vëzhgimeve mbi internetin dhe shoqërinë dixhitale (EIDG) partia ka kërkuar që shteti do të duhej "të jepte subvencione për analizën e përdorshmërisë dhe përmirësimin e të qenët miqësor me përdoruesin të projekteve të përzgjedhura".