"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

News

Studim: Për të siguruar transparencë, Parlamenti Europian duhet të adoptojë Software-in e Lirë, Standardet e Hapura

më:

Një studim i hedhur në qarkullim të premten thotë se Parlamenti Europian duhet të adoptojë Software-in e Lirë dhe Standardet e Hapura, me qëllim që të përmbushë detyrimet e veta rreth transparencës. Autorët arrijnë në konkluzionin se "Rregullat mbi Procedurën të Parlamentit Europian do të duhej ta bënin, kurdo që është e mundur, të detyrueshëm Software-in e Lirë dhe Standardet e Hapura, për krejt sistemet dhe të dhënat në punën e Parlamentit."

Studimi, me titull "Sigurimi i transparencës maksimale -- Software-i i Lirë dhe Standardet e Hapura nën Rregullat mbi Procedurën të Parlamentit Europian", u përgatit nga dy ekspertë ligjorë, për grupin parlamentar Greens/EFA në Parlamentin Europian. Autorët e tij, ekspertët ligjorë Carlo Piana (Itali) dhe Ulf Öberg (Suedin), sjellin argumente pse Parlamenti Europian t’i përkushtohet qenies i hapur me standarde edhe më të larta se sa institucionet e tjera të BE-së.

"Ky studim dërgon një sinjal të fortë se Software-i i Lirë dhe Standardet e Hapura janë thelbësore për institucionet europiane në përmbushjen e detyrimeve mbi transparencën," shprehet presidenti i FSFE-së, Karsten Gerloff. "I bëjmë thirrje Parlamentit Europian t’i sendërtojë në të gjitha nivelet rekomandimet e studimit, dhe sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht për sa lidhet me hyrjen dhe përdorimin e dokumenteve, email-in dhe fshehtëzimin e tij, transmetimet video, dhe vendime të ardhshme prokurimesh."

Studimi radhit një numër hapash konkretë që janë të nevojshëm të ndërmerren nga Parlamenti Europian për të përmbushur detyrimet rreth transparencës:

FSFE-ja dhe të tjerë e kanë kritikuar në mënyrë të përsëritur Parlamentin për dështim në transparencë. Deri tani, eurodeputetë dhe nëpunës të parlamentit nuk kanë mundësi të përdorin një zgjidhje email të përputhshme me standardet, dhe rrjedhat e transmetimit video të drejtpërdrejtë nga Parlamenti nuk janë të shfrytëzueshme nga përdoruesit e Software-it të Lirë.

"Parlamenti ka nevojë që t’i hapet botës," thotë Gerloff. "Rrjedhat e transmetimit video të drejtpërdrejtë, që u lejojnë gjithë shtetasve europianë të ndjekin punën e Parlamentit janë thelbësore për demokracinë në shekullin XXI. Fshehtëzimi është gjë e nevojshme, për t’u lejuar shtetasve të flasin me përfaqësuesit e tyre në fshehtësi. Maksimumi i transparencës është një parimet themelore të BE-së, dhe europianët presin që Parlamenti i tyre të ketë përfundime më të mira në këtë drejtim."

Grupi parlamentar Greens/EFA po kërkon përshtypjet për një version të dytë të studimit.

Kontakt për median:
Karsten Gerloff
Email: gerloff@fsfe.org
tel.: +49 176 9690 4298