News

Me licencimin FRAND, BE-ja rrezikon synimet e veta

më:

Më 19 prill, Komisioni Europian botoi një komunikatë mbi "Përparësitë në Standardizimet TIK për Tregun e Përbashkët Dixhital" ('Komunikata' këtu e më poshtë). Strategjia për Tregun e Përbashkët Dixhital (TPD) synon dixhitalizimin e industrive përmes disa nismash ligjore dhe politike, dhe Komunikata është një pjesë e saj, që mbulon standardizimin. Në përgjithësi, Free Software Foundation Europe (FSFE) e mirëpret frymën bindëse të Komunikatës lidhur me integrimin e Software-it të Lirë dhe Standardet e Hapura në standardizim, por shpreh shqetësimet e veta lidhur me mungesën e të kuptuarit të kushteve të nevojshmeve për ecjen në atë drejtim.

Pranimi i rëndësisë së Software-it të Lirë

Komunikata nis me pranimin e rëndësisë së Standardeve të Hapura në ndërveprueshmërinë, risitë dhe përdorimin e mediave, lëndës kulturore dhe edukative, dhe promovon "bazimin mbi bashkësitë, tërheqjen e sektorëve të rinj, promovimin e standardeve dhe platformave të hapura, kur lypset, forcimin e lidhjes me sektorit të kërkimeve dhe standardizimit". Ky i fundit shihet i lidhur ngushtë me "renë", atje ku Komunikata shprehet se "zgjidhjet pronësore, trajtimet puro kombëtare dhe standardet që kufizojnë ndërveprueshmërinë mund të pengojnë seriozisht potencialin e Tregut të Përbashkët Dixhital", dhe thekson se "standarde të hapur, të përbashkët, do t’i ndihmojnë përdoruesit të përdorin shërbime të reja risore".

Si rrjedhojë, Komisioni arrin në përfundimin se deri në fund të 2016-s synohet të përdoren më tepër elementë Software-i të Lirë, duke integruar më mirë bashkësitë e Software-it të Lirë me organizmat e hartimit të standardeve, në procesin e caktimit të tyre.

Në fushën e Internetit të Gjërave (IoT), Komunikata pranon nevojën e BE-së për "trajtim sipas një platforme të hapët, që të mbulojë fusha të shumta zbatimi ... që të krijojë ekosisteme IoP konkurruese". Në këtë pikëpamje, Komisioni pohon se "kjo lyp standarde të hapura që mbulojnë krejt zinxhirin e vlerave, duke integruar teknologji të shumta ... bazuar në bashkëpunim ndërkombëtar të lehtësuar, që ngrihet mbi një kuadër DPI ["të drejta të pronësisë intelektuale"] i cili lejon përdorim të lehtë dhe të ndershëm të patentave thelbësore të standardeve (SEPs)".

FSFE-ja e mirëpret këtë drejtim të shfaqur në Komunikatë, si edhe pozicionin e Komisionierit Günther Oettinger, shpërfaqur në fjalën e tij gjatë Net Futures 2016, se "ripërdorimi i lehtë i standardeve dhe përbërësve të hapur përshpejton dixhitalizimin e çfarëdo sipërmarrjeje apo çfarëdo sektori të industrisë." Për më tepër, sipas komisionerit Oettinger, standardet Software i Lirë "lejojnë transparencë dhe krijojnë besim."

Komisioni Europian vë në rrezik përpjekjet e mbara

Megjithëkëtë, përpjekjet e Komisionit për promovimin e Standardeve të Hapura dhe të një qëndrimi më të baraspeshuar kundrejt politikave të "të drejtave të pronësisë intelektuale" në standardizim, mund të dëmtohen seriozisht nga pozicioni i Komisionit ndaj licencimit FRAND. Në veçanti, Komisioni i ka vënë vetes qëllimin të "qartësojë elementët bazë të një metodologjie të paanshme, të efektshme dhe të zbatueshme licencimesh, ngritur mbi parimet FRAND", e cila shihet si arritje e baraspeshës së duhur në standardizim dhe që siguron përdorim "të drejtë dhe jo-diskriminues" të standardeve. Për më tepër, është fakt i njohur që kushtet e licencimeve FRAND, të cilat në teori bëjnë fjalë për kushte "të drejta, të arsyeshme dhe jo-diskriminuese", në praktikë janë të papërputhshme me shumicën e Software-it të Lirë.

Si përfundim, edhe pse me Komunikatën zë fill një drejtim pozitiv drejt promovimit të Standardeve të Hapura dhe përfshirjes së bashkësive të Software-it të Lirë në procesin e standardizimit, ky drejtim mund të jetë seriozisht i kufizuar, nëse Komisioni dështon të shohë mospërputhshmërinë e kushteve të licencimeve FRAND me licencat e Software-it të Lirë. Nga ana e vet, kjo mund ta bëjë të pamundur për Software-in e Lirë sendërtimin si duhet praktik të standardeve. Si pasojë, përpjekjet e Komisionit për një "treg të përbashkët dixhital" të vërtetë, të bazuar në ndërveprueshmërinë, të qenët të hapët dhe risitë, nuk do të arrihen, pasi pjesa e rëndësishme e potencialit risues, që gjendet në Software-in e Lirë, do të gjendet praktikisht e përjashtuar nga standardizimi.

Në të njëjtën frymë me rekomandimet tona lidhur me nismën mbi TPD-në, që u pritën mirë nga Komisioni, FSFE-ja beson se që të arrihet integrim adekuat i bashkësive të Software-it të Lirë, dhe trajtimi përgjithësisht bindës drejt përdorimit si duhet të Standardeve të Hapura, Komisioni lypset të shmangë pasojat e dëmshme për Software-in e Lirë të licencimeve FRAND dhe, në vend të kësaj, të ndjekë promovimin e standardeve që janë të hapura, minimaliste dhe të sendërtueshme me Software të Lirë. Këto standarde do të ofrojnë brumin për premtimet e Komisionit lidhur me nxitjen e bashkësive të Software-it të Lirë të marrin pjesë në proceset e standardizimit.