Mbi

Kod Sjelljeje

KS-ja me dy fjalë: Free Software Foundation Europe (FSFE) dhe bashkësia e tij synojnë të ofrojnë një mjedis miqësor dhe të qetë për çdo pjesëmarrës në veprimtaritë e FSFE-së, në internet dhe në botën reale. Nga krejt pjesëmarrësit e çfarëdo veprimtarie të FSFE-së pritet sjellje e shkëlqyer kundrejt njëri-tjetrit. Sjellja e keqe mund të shpjerë në përjashtimin nga veprimtaritë tona dhe/ose nga infrastruktura jonë teknike. Nëse keni qenë të pranishëm në një situatë në të cilën fryma e Kodit të Sjelljes është cenuar, ju lutemi, lidhuni me ekipin tonë qendror CARE.

Software-i i Lirë merret me lirinë dhe këtë bën edhe bashkësia jonë. Ne dëshirojmë të bashkëpunojmë dhe të punojmë tok duke respektuar opinionet, aftësitë dhe interesat e ndryshme. Ne, si një bashkësi dashamirëse, i nxisim krejt pjesëmarrësit të jenë të shkëlqyer me njëri-tjetrin.

Ky Kod Sjelljeje zbatohet mbi krejt veprimtaritë e kryera nga FSFE-ja, si dhe mbi infrastrukturën tonë online. Kjo e fundit përfshin, por nuk kufizohet me, listat tona të postimeve, wiki-t, mediat shoqërore, grupet, forumet dhe çfarëdo mjeti të komunikimit dixhital që administrohen nga FSFE-ja. Kodi i Sjelljes zbatohet po njësoj mbi krejt pjesëmarrësit, përfshi, por pa u kufizuar te, folësit, vullnetarët, pjesëtarë të stafit, ekspozues, etj.

Kod Sjelljeje

Ftojmë dhe nxisim të gjithë të shprehin opinionet e tyre mbi temat që kanë lidhje me fushën tonë. Krejt pjesëmarrësit do të duhej të ndiheshin gjatë gjithë kohës të lirë për ta bërë këtë, pa patur frikë se mos sulmohen, ndëshkohen ose ngacmohen. I kërkojmë gjithkujt të respektojë dhe të jetë i matur kundrejt njëri-tjetrit, veçanërisht kur përpiqet të ofrojë kritikë konstruktive.

Që të farkëtojmë në bashkësinë tonë tolerancën, respektin dhe mikpritjen, ne biem dakord të mos merremi me të folur apo veprime diskriminuese, njollosëse, apo fyese, përfshi lidhur me (por pa u kufizuar me) gjinitë, prirjet seksuale, racat, kombësitë, fetë apo profesionet. Jemi një bashkësi e shumë kombësive dhe prejardhjeve, dhe i gëzohemi forcës tonë të bazuar në diversitet.

Masa displinore

Nëse keni pësuar apo jeni bërë dëshmitar sjelljeje në kundërshtim me parimet e ngulitura në këtë Kod Sjelljeje, ju lutemi, sillini incidente të tilla në vëmendje të ekipit përkatës vendor ose të ekipit tonë qendror CARE (CARE = CoC Active Response Ensurers) sa më shpejt që të jetë e mundur. Në varësi të veprimtarisë së dhënë, do të gjeni kontakte për ekipin vendor CARE.

Ju lutemi, mos ngurroni të përhapni Kodin e Sjelljes me pjesëmarrës në diskutime, online dhe offline, për të garantuar mjedis respekti dhe dashamirësie. Free Software Foundation Europe ruan të drejtën t’i mohojë hyrjen dhe/ose të dëbojë prej një veprimtarie apo segmenti infrastrukture të saj (p.sh. wiki, lista postimesh, etj) cilindo individ që rezulton të jetë sjellë në kundërshtim me parimet e theksuara më sipër.

Ekipi CARE Qendror

Me ekipin CARE qendror mund të lidheni përmes email-it care te fsfe dot org. Anëtarët e ekipit CARE radhiten më poshtë, dhe jeni të mirëpritur të lidheni me ta edhe individualisht.

Ankesat rreth anëtarësh të ekipeve CARE duhet t’i drejtohen presidentit të FSFE-së.