Help us spread the word about Free Software across Europe! Contributions until the end of September will be used to translate our 'What is Free Software' video into more European languages

Çfarë është projekti GNU?

GNU head

Projekti GNU u fillua më shtator 1983 nga Richard M. Stallman për të krijuar një sistem operativ të plotë që është Software i Lirë. Puna për zhvillimin e software-it filloi janarin pasues. Sot kemi disa sisteme operativë Software të Lirë që respektojnë lirinë e përdoruesit duke i dhënë cilitdo të drejtën për ta përdorur, studiuar, ndarë me të tjerët dhe përmirësuar software-in për çfarëdo qëllimi.

Stallman-i themeloi Free Software Foundation në Tetor 1985 për t’u marrë me aspektet administrative, ligjore dhe organizuese të projektit GNU dhe edhe për të përhapur përdorimin dhe dijet e Software-it të Lirë. Licencat kryesore të projektit GNU janë GNU General Public License (GPL) dhe GNU Lesser General Public License (LGPL, fillimisht e quajtur GNU Library General Public License). Përgjatë vitesh ato janë bërë licencat e përdorura më gjerësisht për Software-in e Lirë.

Projekti GNU përbëhet nga një numër i madh nënprojektesh më të vegjël që mirëmbahen nga vullnetarë ose biznese, ose nga një ndërthurje e të dyve. Këto nënprojekte quhen gjithashtu "projekte GNU" ose "paketa GNU."

Emri i projektit GNU vjen nga akronimi rekursiv "GNU-ja Nuk Është Unix." Unix që një sistem operativ shumë popullor gjatë viteve '80, ndaj Stallman-i e konceptoi GNU-në të jetë sa më i përputhshëm me Unix-in, që për njerëzit të ishte e leverdishme të migronin në GNU. Emri pranon që GNU-ja mësoi prej konceptimit teknik të Unix-it, por shënon gjithashtu faktin e rëndësishëm që ata nuk janë të afërm. Ndryshe nga Unix-i, GNU-ja është Software i Lirë.

Duke qenë i ngjashëm me Unix-in, GNU-ja për nga konceptimi është modular. Kjo do të thotë që te GNU-ja mund të futen përbërës nga palë të treta. Sot është shumë e zakonshme që njerëzit të përdorin me sistemet GNU një kernel prej pale të tretë të quajtur Linux. Mjaft njerëz përdorin emrin "Linux" për këtë variant të GNU-së, por kjo i pengon njerëzit të dëgjojnë për projektin GNU dhe synimin e tij të lirisë së software-it. FSFE-ja u kërkon njerëzve të përdorin termin "GNU/Linux" ose "GNU+Linux", kur u referohen sistemeve të tillë.