"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

News

Itali: Gjykata e Kasacionit godet taksën Windows

më:

Gjykata e Kasacionit e Italisë ka fshikulluar praktikën që i detyron blerësit e një kompjuteri apo laptopi tok me software jo të lirë. Sipas La Repubblica-s, gjykata vendosi se një blerës laptopi ka të drejtën të përfitojë një rimbursim të çmimit të licencës Microsoft Windows për kompjuterin e tij.

Trupi gjykues e kritikoi ashpër praktikën e shitjes së PC-eve vetëm tok me sisteme operativë jo të lirë, si "një politikë tregtare e shpërndarjes me detyrim". Gjykata e dënoi këtë praktikë si "me tendenca monopoliste". Ajo theksoi gjithashtu se praktika e paketimit në hardware të software-it do të thotë se përdoruesit janë të detyruar të përdorin aplikacione shtesë jo të lira, për shkak problemesh përputhshmërie dhe ndërveprueshmërie, pavarësisht nëse i dëshironin apo jo këto programe.

"Ky vendim edhe është i mirëpritur, edhe i shumëpritur", thotë Karsten Gerloff, president i Free Software Foundation Europe. "Asnjë tregtues nuk duhet lejuar të rrasë software jo të lirë në gurmazin e përdoruesve."

Free Software Foundation Europe e ka luftuar "taksën Windows" për një kohë të gjatë, siç është quajtur ndryshe pagesa e padëshiruar ndaj Microsoft-it. Shoqata përkujdeset për një faqe wiki me këshilla për konsumatorët të cilët duan të shmangin zhvillimin e software-it jo të lirë me paratë e tyre , dhe rrëfime nga njerëz që e kanë dhënë mbrapsht me sukses licencën të cilën kanë qenë të detyruar ta blejnë.

Në përgjigje të vendimit, autoritetet italiane do të duhej të mos e favorizojnë paketimin e detyrueshëm të software-it me hardware-in, dhe të ndërmarrin hapa praktikë për të bërë të mundur që konsumatorët ta ushtrojnë vërtet lirinë e zgjedhjes. Qeveritë nëpër Europë do të duhej të ndërmerrnin të njëjtët hapa, dhe t’i nxisin konsumatorët kudo të instalojnë dhe përdorin Software të Lirë.

"Kësaj praktike të shpërndarjes së detyruar duhet t’i jepet fund," thotë Gerloff. "Shpresojmë që autoritetet italiane ta shndërrojnë këtë vendim në një fitore të njëmendtë për konsumatorët, dhe të bëjnë të mundur që blerësit e kompjuterave të mund ta zgjedhin pajisjen e tyre me çfarëdo sistemi që dëshirojnë, ose me asnjë të tillë."

Numri protokollar i vendimit është 19161 / 2014.