Contribute and be proud of defending Software Freedom from monopolist control! We are intervening in the Apple vs. EC case: Find out more.

News

Pozicioni ynë lidhur me fuqizimin e Burimeve Arsimore të Hapura mbi bazën e Software-it të Lirë

më:

Tok me FSFE-në dhe partnerë të tjerë, Bündnis Freie Bildung ("Aleanca për Arsim të Lirë") sot boton qëndrimet e saj rredh krijimit dhe përdorimit të Burimeve Arsimore të Hapura (BAH). Bündnis përmes tyre kërkon botimin e krejt materialeve BAH nën licenca të hapura dhe shpërndarjen e tyre në formate Software të Lirë dhe Standardesh të Hapura.

Bündnis Freie Bildung është në ndjekje të vizionit sipas të cilit "krejt burimet arsimore të jenë të përdorshme pa asnjë pengesë ligjore apo teknike". Kjo mund të arrihet vetëm duke përdorur Software të Lirë dhe Standarde të Hapura. Për rrjedhojë, e shohim si postulatin bazë të deklarimit të pozicionit fillestar të aleancës "Der Weg zur Stärkung freier Bildungsmaterialien" ("Rruga për t’i dhënë shtysë Burimeve Arsimore të Hapura", vetëm në gjermanisht). Artikulli përqendrohet veçanërisht në krijimin dhe përdorimin e BAH-eve brenda sistemit arsimor gjerman.

"Në vitet e ardhshme, BAH do të marrë një rëndësi gjithnjë në rritje brenda krejt sektorëve të arsimit publik dhe privat", shprehet Erik Albers i FSFE-së. "Që BAH të shpalosë plotësisht potencialin e vet, Software-i i Lirë është i pazëvendësueshëm. Jemi të lumtur t’i bashkohemi sot Bündnis Freie Bildung për të sjellë në politikë dhe shoqëri të kuptuarit e këtij konteksti."

Më tej, kërkohet të shihet mundësia e përdorimit të Software-it të Lirë gjatë zhvillimit apo thellimit të infrastrukturave TI. Si shtesë këtu, botimi i burimeve arsimore që janë paguar me para publike duhet të jetë e detyruar të bëhet si BAH. Me këtë, Bündnis Freie Bildung pret një arsim më të paanshëm dhe nxitjen në sistemin arsimor të strukturave me frymë pjesëmarrëse. Që të dyja janë veçori për të cila shihet një rritje gjithnjë e më madhe e rëndësisë, përgjatë dixhitalizimit të vazhdueshëm të të nxënit dhe mësimdhënies.

"Sa më tepër të pajisur me kompjutera që i shohim mjediset arsimore tradicionale, aq më e rëndësishme është t’i ofrohet çdo nxënësi një arsim që është i pavarur nga prodhuesit dhe produktet, që lejon pjesëmarrje dhe që ngrihet mbi material arsimor të lirë. Për FSFE-në, kjo fillon me Software-in e Lirë dhe arrin përsosmërinë te ndërveprimi me BAH", thotë Erik Albers.

Mbi Bündnis Freie Bildung

Bündnis Freie Bildung është një koalicion organizmash dhe individësh me synimin futjen në përdorim dhe përkrahjen e Burimeve Arsimore të Hapura në politikë dhe shoqëri. Aleanca u themelua nga Creative Commons Germany, Open Knowledge Foundation Germany dhe Wikimedia Germany. Marrëdhëniet e FSFE-së me Bündnis janë partnerit. Brenda aleancës, FSFE-ja punon për ndërgjegjësim ndaj teknologjisë së lirë - ose shprehimisht, Software-it të Lirë dhe Standardeve të Hapura - si kusht i nevojshëm për një mjedis të shëndoshë Burimesh Arsimore të Hapura.