We are intervening in the Apple vs.EC litigation. Become a proud supporter of the FSFE and join us in defending software freedom from monopoly control!

News

Deklaratë e Përbashkët rreth Udhëzimit mbi Bllokimet Radio

më:

23 organizma, përfshi Free Software Foundation Europe (FSFE) bashkuan zërat për të propozuar masa që institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të BE-së të shmangin rrjedhojat negative mbi të drejtat e përdoruesve dhe Software-in e Lirë të ardhura nga Udhëzimi i BE-së mbi Pajisjet Radio 2014/53/EU.

Udhëzimi mbi Bllokimet Radio’ që do të jetë i zbatueshëm në BE duke filluar nga 13 qershori, 2016, kërcënon lirinë e software-it, të drejtat e përdoruesve, konkurrencën e ndershme, risitë, mjedisin dhe vullnetarizmin – pa ndonjë përfitim të dukshëm për sigurinë. Ai fut në lojë ‘domosdoshmëri thelbësore’ të tepruara, në trajtën e detyrimit të prodhuesve të pajisjeve që të garantojnë përputhshmërinë me rregullat mbi radion për çdo software të mundshëm që mund të xhirohet në çdo produkt që përdor spektrin e frekuencave radio. Në praktikë kjo do të thotë që në të ardhmen, në pajisje çfarëdo që lidhen me rrjete pa tel, celularë apo GPS, mund të instalohet vetëm software i caktuar, i autorizuar nga prodhuesit: fjala vjen, rrugëzues, telefona celularë, karta WiFi dhe dhe laptopë që i përmbajnë ato, ose thuajse krejt pajisjet që përmbajnë funksione rrjeti.

Plotësimi i kësaj domosdoshmërie do t’i lidhë përdoruesit pas prodhuesve të hardware-it, dhe do të jetë pengesë për bizneset e bazuar në Software-in e Lirë ose mbi çfarëdo software tjetër alternativ që nuk instalohet si parazgjedhje nga prodhuesi i pajisjes. Kjo do të sjellë ndërlikime negative për konkurrencën e ndershme dhe lirinë për t’u marrë me biznes. Domosdoshmëria për të verifikuar që çdo ndërthurje e mundshme hardware-software të jetë e përputhshme me RED-in – i përfytyruar për thellimin e sigurisë së pajisjeve radio – u heq përdoruesve dhe sipërmarrjeve mundësinë e zgjedhjes së software-it problemet e të cilit mund të ndreqen nga kushdo, pa u dashur të bazohesh te tregtuesi i tij.

Prandaj, FSFE-ja dhe nënshkrues të tjerë u kërkojnë institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare të saj të mos prekin të drejtat e përdoruesve dhe sipërmarrjeve për të përdorur dhe instaluar në pajisjet e tyre Software të Lirë dhe çfarëdo alternative prej palësh të treta; të shmangë bllokimin e pajisjeve nga përdorimi vetëm i software-it të furnizuar nga prodhuesi hardware; dhe të tërhiqet prej kalimit të përgjegjësisë për përputhshmërinë e software-it me rregullat nga përdoruesit te prodhuesit, kur përdoruesit bëjnë ndryshime te formësimi parazgjedhje. Në këtë pikëpamje, software-i dhe hardware-i s’duhen trajtuar ndryshe nga njëri-tjetri. Komisionit të BE-së i njihet e drejta të miratojë akte të deleguar, të cilët mund sjellin këto përmirësime jetike.

Deklarata e përbashkët mbi Udhëzimin mbi Bllokimet Radio është e hapur për më tepër nënshkrime. Qofshi përdorues, projekt bamirësie, ose sipërmarrje, Udhëzimi mbi Bllokimet Radio prek këdo. U kërkojmë organizmave dhe kompanive të tjera ta përkrahin deklaratën tonë për të bërë të mundur që Udhëzimi mbi Bllokimet Radio të mos vendosë kufizime në tufë, të panevojshme dhe të tepruara mbi të drejtat e konsumatorëve dhe sipërmarrjeve, kur ai të sendërtohet në ligjet e secilit shtet.

Ju lutemi, lexoni edhe analizën tonë të hollësishme, dhe mos ngurroni të lidheni me ne, nëse keni ndonjë pyetje.