Buletini i FSFE-së - shkurt 2013
Dështim i njësuar për shoqërinë tonë
Software-in ne e duam si një mjet në ndihmë të shoqërisë. Patentat e software-it përbëjnë një kërcënim ndaj kësaj, ngaqë, duke i dhënë të zotit të patentave fuqi ligjore t’u ndalojë krejtësisht zhvilluesve të software-it përdorimin e ideve të patentuara, u shtojnë zhvillimit dhe shpërndarjes së software-it rreziqe ligjore dhe financiare.
Parlamenti Europian miratoi në dhjetor një propozim për krijimin e patentave me efekte të njësuara për Europën (që këtej edhe "patenta të njësuara"). Duke miratuar këtë propozim, deputetët e Parlamentit Europian (DEP-ët) zgjodhën të mos marrin parasysh kritikat e ardhura ndaj propozimit nga tërë palët e debatit. Që para votimit, juristë të patentave, ekspertë ligjorë, ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe grupe të shoqërisë civile, të tillë si FFII dhe FSFE, krejt këta u patën shprehur shqetësimet e tyre DEP-ëve. Me miratimin, Parlamenti Europian ka hequr dorë nga një pjesë e pushtetit të vet mbi mbrujtjen e politikave europiane të lidhura me risinë. Ky pushtet i lihet Zyrës Europiane të Patentave (EPO), e cila ka një historik vendimesh që shpërblejnë monopolet, në gamën më të gjerë të mundshme të fushës në fjalë.
Sipas sajtit të Parlamentit Europian, "marrëveshja ndërkombëtare që krijon një gjykatë të njësuar patentash do të hyjë në fuqi më 1 janar 2014 ose pasi trembëdhjetë shtete nënshkruese të marrëveshjes ta ratifikojnë atë, me kusht që Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania të jenë mes tyre. Me ndihmën tuaj të pandërprerë, FSFE-ja do të vazhdojë të njoftojë kompani dhe politikanë mbi rreziqet e patentave.
Italia nuk do përdorues të Software-it të Lirë si mësues
Nxënësve, ashtu si edhe mësuesve, duhet t’u jepet mundësia të përdorin Software-in e Lirë në shkolla. Mjerisht, mjaft nga pyetjet e lidhura me TI-në në pyetësorët e përdorur në Itali për përzgjedhjen e mësuesve të ardhshëm përqendrohen në një sistem të vetëm operativ pronësor dhe në software që mund të kihet vetëm nën atë sistem. Kjo praktikë diskriminon përdoruesit e Software-it të Lirë që dëshirojnë të bëhen mësues. Për këtë, ekipi ynë italian depozitoi një ankesë ligjore në Ministrinë italiane të Edukimit. Në bashkëpunim me AsSoLi, Wikimedia Italia, Free Software User Group Italia, Associazione per l’Informazione Geografica Libera (GFoss.it), Italian Linux Society, LibreItalia dhe 38 grupe të tjera ne shpjegojmë se Ministria e Edukimit e vendit po e vendos Software-in e Lirë në një disavantazh të padrejtë.
Përveç veprimeve të vazhdueshme në Itali, ekipi i FSFE-së për arsimin, më 2012-n, punoi më shumë se kurrë për të promovuar përdorimin e Software-it të Lirë në shkolla dhe universitete. Guido Arnold-i e ka përmbledhur këtu punën e ekipit dhe planet e tij për 2013-n.
Mos shihni pas me zemërim!
Të paktën puna e FSFE-së gjatë 2012-s nuk lë shteg për diçka të tillë. Lexoni raportin tonë vjetor që të shihni se çfarë arritëm, si e arritëm, dhe çfarë kemi përpara për 2013-n. Falënderojmë krejt Anëtarët Shok tonët, dhuruesit dhe sponsorët që e bënë të mundur punën tonë! Nëse ju pëlqen ajo që lexuat, ju lutemi, dhuroni si një Anëtar Shok i FSFE-së.
Diçka krejt tjetër
- Standarde të Hapët: Afishet për DLD 2013 mbërritën dhe vullnetarë anembanë botës, përfshi grupin tonë të Anëtarëve Shok në Mynih, kanë filluar të përgatisin edicionin e sivjetshëm të veprimtarisë. Më 2012-n pati 54 veprimtari në 23 vende dhe në 19 gjuhë të botës, të tëra rreth Standardeve të Hapura. Një nga temat e shumta do të jetë sërish mbi videon dhe audion në web. Do të donim të shtojmë ndërgjegjësimin rreth lojtësve të videove HTML5, të tillë si ai i riu Wikipedia-s. Nëse keni përvojë me këto, ju lutemi, lidhuni me ne.
- Intervista e Anëtarit Shok: Një nga vullnetaret më aktive për DLD-në, Anna Morris, na tregon pse gjithkush duhet të ketë një shok me njohuri për Software-in e Lirë që ta mbajë në udhën e duhur kur ka probleme plot, pse të jetë krenar për të kur mëson diçka të re, dhe ta ndihmojë që të kontribuojë me më tepër Software të lirë dhe më të mirë. Të tërë ne kemi diçka për të dhënë!
- FSFE në ndihmë të VLC-së që kjo të luajë Blu-ray. Video Lan Client (VLC) është lojtësi Software i Lirë më i përdorur në botë. Zhvilluesit e tij kanë dashur prej kohësh të jenë në gjendje të luajnë disqe Blu-ray. I kërkuan Hadopi-t, autoriteti i të drejtave të kopjimit në Francë, këtu e një vit më parë, ndihmë ligjore se si të trajtohej administrimi dixhital i kufizimeve (DRM), por autoriteti i të drejtave të kopjimit ende nuk është përgjigjur. Në një takim të organizuar nga Ministria Frënge e Ekonomisë, Karsten Gerloff i përkrahu zhvilluesit e VLC-së duke kritikuar interpretimin strikt nga ana e Francës të të drejtave të kopjimit, çka i pengon mjaft hacker-ët Software-it të Lirë.
- Administrata Publike: Microsoft-i pagoi HP-në për një studim rreth përdorimit të Software-it të Lirë nga Bashkia e Mynihut. Përfundimi i tyre është që zgjidhjet me Software të Lirë kushtojnë miliona euro më shumë se zgjidhjet nga Microsoft-i. Mynihu i hedh poshtë pretendimet e studimit të pabotuar, dhe studimin e kanë kritikuar dhe të tjerë. Më anë tjetër, ka lajme të mira: në qytetin zviceran të Bernës, shumica e këshillit bashkiak dëshiron të kalohet në Software të Lirë, ndërsa qeveria baske ka krijuar një depo publike Software-i të Lirë që të lehtësojë përhapjen e tyre.
- "Mbrojtësit e software-it të lirë duhet t’i rikthehen qëllimit të tyre final të çlirimit të njerëzve, jo software-it", shkruan Benjamin Mako Hill në artikullin e vet "Liri për Përdoruesit, Jo për Software-in". Është botuar në librin "Pasuria e të Përbashkëtës: Një Botë Përtej Tregut dhe Shtetit". Versioni në Gjermanisht i librit (PDF) përfshin edhe një artikull mbi Software-in e Lirë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
- FSFE në valë: Javët e fundit Torsten Grote dha një intervistë në radio mbi sisteme të shpërndarë, kurse Erik Albers dhe Matthias Kirschner folën rreth Ubuntu Phone-it. Tok me intervista të tjera, i gjeni te faqja audio e wiki-t të Anëtarëve Shok.
- Prej grumbullimeve nga planeti:
- Femrat në bashkësinë e Software-it të Lirë: "Deri sot, për fat të keq jemi ende larg prej kësaj që thjesht ta shpërfillim krejt problemin dhe të presim që të eliminohet vetë." shkruan Tonnerre në artikullin e vet Liberalizëm Gjinor: ç’na pruri deri këtu, nuk do të na shpjerë më tej.
- Hugo ka filluar "serinë PatentBS". Numri i parë mbulon: "Rrëzimi i patentave të software-it do t’i bënte dëm Software-it të Lirë".
- Anëtari Shok Nikos Roussos raporton prej një hackathon-i të vogël në Athens Hackerspace. Të pranishëm qenë rreth 40 programues, për t’u njohur me përpjekjen e re të Mozilla-s për çlirimin e ekosistemit të celularëve përmes Aplikacioneve Web të Hapura dhe Firefox OS-it.
- Çfarë duhet të keni në mendje kur shkruani një email? Matija ka nxjerrë në pah disa artikuj mbi netiketën për email-et. Ne e patëm përmbledhur këtë temë ca kohë më parë në një udhërrëfyes të shkurtër mbi email-et, për stazhierët e FSFE-së .
- Paul Boddie hedh vështrimin te mikrokontrollorët. Ai shkruan "Pse Raspberry Pi s’është Mikrokompjuteri i ri i BBC-së (dhe, ndoshta, as që duhet të ishte)".
- Michael Kesper-i duhet të përdorë Microsoft Windows në punë. Ai shkroi një postim blogu rreth se pse Windows 8 është një hap i madh mbrapa në krejt aspektet.
- Si mund të trupëzoni tejtëdhëna që të mbulojnë domosdoshmëritë e licencimit dhe atribuimit për vepra dixhitale, që të lehtësohet ndarja e tyre me të tjerët? Jonas Öberg po ofron të udhëheqë një tezë, të financuar, për baçelor ose master mbi këtë subjekt.
- Hannes-i vazhdon të ndajë me ne përvojën e tij me Android-in. Lexoni se pse përdorimi i një kerneli Linux mund të jetë andrallë kur jeni ende i freskët nga bota BSD dhe pse e ndjen mungesën e një klienti puro email.
- Michael Clemens projektin e vet të parë software e publikoi më 1992, shkruar në BASIC 2.0 në mikun e vet të dikurshëm C64.
Aktivizohuni: E doni Software-in e Lirë? Shpaloseni!
Si edhe vitin e kaluar, për 14 shkurtin ju kërkojmë t’ua shpalosni dashurinë tuaj personave të përfshirë te Software-i i Lirë, dhe veprën e të cilëve e admironi.
Për shembull, përgatisni një "letër dashurie" ku i rrëfeni zhvilluesve të një programi të dhënë, pse e dashuroni atë çka bëjnë, na dërgoni një thënie ose një foto, përdorni në sajtin tuaj, blogun tuaj (siç bëri redaktori juaj), në faqe profilesh, një nga stemat apo butonat tanë të krijuar nga Markus Meier, dhe nxitini të tjerët të marrin pjesë te dita "E dua Software-in e Lirë". Falë Markusit dhe Erikut kemi dhe afishe dhe fletëpalosje ilovefs për ju. Mund t’i merrni te stendat e FSFE-së ose të porosisni material për promovimin e FSFE-së (që do të përditësohet së shpejti me lëndë të re).
Krejt Anëtarët Shok mes jush kanë gjithashtu edhe email-in përcjellës login@ilovefs.org, përveç atij @fsfe.org.
Falënderojmë krejt Anëtarët Shok dhe
dhuruesit që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE
--
Free Software Foundation Europe
Lajme nga FSFE-ja
Veprimtari të Ardhshme FSFE
Shkrime nga Blogje Anëtarësh Shok
Diskutime mbi Software-in e Lirë