"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

News

Konsumatorët italianë nuk do të duhej të paguanin për software që nuk e dëshirojnë – Letër Rregullatorëve

më:

FSFE-ja dhe shoqata e konsumatorëve italianë ADUC, tok me grupin italian ILS, u kërkon rregullatorëve të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e italianëve nga pagesat e detyruara për software që nuk e dëshirojnë. Gjykata e Lartë e Italisë vendosi në shtator se tregtuesit e kompjuterave duhet të rimbursojnë klientët për çmimin e software-it jo të lirë, të padëshiruar që vjen i instaluar që më parë në PC dhe laptopë. Sot, FSFE-ja, ADUC-u dhe ILS-ja i kanë dërguar një letër autoriteteve italiane të konkurrencës, duke u bërë thirrje që të sigurojnë se tregtuesit i binden vendimit të Gjykatës së Lartë, dhe respektimin e të drejtave të klientëve.

“Tregtuesit nuk mund t’u kërkojnë konsumatorëve të rraskapiten që të mund të shijojnë frytet e të drejtave të tyre ligjore, dhe autoritetet e kanë për detyrë t’i mbrojnë këto të drejta,” shprehet presidenti i FSFEs-ë, Karsten Gerloff. “Hapat e thjeshtë për të cilët bëjmë thirrje sot, do të shpinin drejt një lirie shumë më të gjerë zgjedhjeje për italianët. Kemi shpresë se autoritetet e konkurrencës do të ndërmarrin veprime për ta vënë në jetë vendimin e Gjykatës së Lartë.”

FSFE-ja, ADUC-u, dhe ILS-i u kërkojnë mbikëqyrësve të konkurrencës të ndërmarrin hapat vijues:

Si alternativë, tregtuesit mund t’i shisnin pajisjet të parainstaluara me Software të Lirë, duke i çliruar kështu prej detyrimeve më sipër.

“Vetëm Software-i i Lirë u lejon përdoruesve kontroll të plotë mbi çka bëjnë kompjuterët e tyre, dhe se ku shkojnë të dhënat e tyre personale,” shprehet presidenti i FSFE-së, Karsten Gerloff. “Cilido që blen një kompjuter, do të duhej të kishte mundësinë e marrjes së tij me Software të Lirë të parainstaluar.”

Në shumicën e vendeve europiane, për konsumatorët është e vështirë të blejnë PC dhe laptopë pa qenë të detyruar në të njëjtën kohë të paguajnë për një licencë sistemi operativ jo të lirë. FSFE-ja ka kohë që ushtron trysni që tregtuesit t’i japin fund praktikës së tyre të tanishme të dhënies së detyruar të software-it jo të lirë për konsumatorë që nuk e duan ose nuk e kanë të nevojshëm. Organizmi mirëmban një faqe wiki me këshilla për konsumatorët. Në të, blerësit mund të njoftojnë edhe shembuj të vetët rimbursimi nga tregtues të ndryshëm, prej vendesh të ndryshme.