"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

Buletin

Buletini i FSFE-së - qershor 2016

më  

FSFE-ja nënshkroi letrën mbi asnjanësinë në rrjet

FSFE-ja tok me 72 organizma të tjerë, në negociatat në zhvillim e sipër për udhëzime lidhur me sendërtimin e Rregullatores së BE-së të sapomiratuar për periudhën 2015/2120, nënshkruan një letër për rregullatorët e telekomit në BE, në përkrahje të rregullave të forta për asnjanësinë në rrjet. Rregullatorja krijon bazën për një asnjanësi të fortë në rrjet, dhe FSFE-ja, tok me organizma të tjerë nga anembanë bota, i kërkon Grupit Europian të Rregullatorëve të Komunikimeve Elektronike (BEREC) dhe 28 rregullatorëve telekom kombëtarë t’i përkrahin këto rregulla dhe të vendosin udhëzime për asnjanësi të fortë në rrjet në Europë.

Nga kuptimi gabim i Software-it të Lirë, te software-i në CERN - FSFE-ja e zënë me veprimtari

Muaji i kaluar qe plot veprimtari dhe biseda, me praninë, në disa raste, të nëpunësve të FSFE-së dhe anëtarëve të ekipit të saj. Bisedat dhe prezantimet përfaqësojnë një pjesë të madhe të punës tonë për të mbërritur te njerëz nga shtresa të ndryshme dhe për t’u dhënë atyre mesazhin tonë.

Presidenti i FSFE-së, Matthias Kirschner, mbajti një fjalë të shkurtër gjatë Re:publica TEN, mbi se si të trajtohen kuptimet e gabuara të Software-it të Lirë. Ai mori pjesë edhe në Konferencën e Përdoruesve Kroatë të Linux-it, DORS / CLUC në Zagreb, Kroaci, ku mbajti fjalën rreth "Rrugës së gjatë të aftësimit të njerëzve për të kontrolluar teknologjinë".

Gjatë konferencës foss-north në Goteborg, Suedi, zëvendëspresidenti i FSFE-së, Alessandro Rubini, mbajti një fjalë rreth "Kohës në Software dhe Hardware - si trajtohet koha në kernelin e Linux-it dhe në rrjetin Lepuri i Bardhë në CERN", dhe drejtori i përgjithshëm i FSFE-së, Jonas Öberg, mbajti një fjalë rreth "Gjendjes së Software-it të Lirë në Europë (dhe gjetkë)".

Bashkërenduesi i ekipit gjerman, Max Mehl, mbajti një fjalë lidhur me Direktivën mbi 'Bllokimin' e Radiofrekuencave, gjatë veprimtarisë Wireless Battle of the Mesh v9, në Porto, Portugali, dhe redaktorja e buletinit tuaj, Polina Malaja, ofroi një përmbledhje rreth së njëjtës temë gjatë Wireless Community Weekend 2016 në Berlin, Gjermani.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, bashkërenduesi i ekipit austriak të FSFEsë, Peter Bubestinger, mbajti një fjalë lidhur me Software-in e Lirë në shkolla, gjatë konferencës OSCAL - Open Source Conference Albania.

Nga bashkësia

Ç’kemi bërë tjetër?

Hidhuni Në Veprim

Dilni vullnetar për mirëmbajtjen e platformës tonë të blogut! Nëse ju intereson fusha devops ose administrimi i sistemeve, ofrojmë një mundësi të përmirësoni aftësitë tuaja dhe të mësoni gjëra të reja gjatë administrimit të një platforme blogu për mijëra vullnetarët tanë!

Platforma e blogut FSFE është një shërbim që e ofrojmë për vullnetarët tanë, për t’u dhënë një hapësirë ku të shkruajnë mbi eksplorimin nga ana e tyre të Software-it të Lirë dhe punës së tyre në FSFE. Po bëhen ca kohë që shërbimi është në pikë të hallit dhe ka nevojë për t’u përmirësuar. Falë vullnetarëve të mrekullueshëm që ngritën dorën dhe ofruan ndihmën e tyre në mirëmbajtjen e platformës, shërbimi do të mbahet gjallë.

Nëse jeni të interesuar të bëheni pjesë e ekipit të platformës tonë të blogut, lidhuni me të, te blog-hackers (at) lists.fsfe.org.

Lajme të mira nga fusha e Software-it të Lirë

Qeveria hungareze botoi një dekret që promovon përdorimin e Software-it të Lirë dhe Standardeve të hapura në administratat publike. Ministrisë së Brendshme të vendit i kërkohet të krijojë një regjistër qendror licencash për software të përdorur nga sektori publik dhe të raportojë një herë në vit mbi përparimin e bërë në përdorimin e Software-it të Lirë dhe Standardeve të Hapura. Nga ana tjetër, Franca i rishikoi udhëzimet e veta për ndërveprueshmërinë, të cilat tani e tutje rekomandojnë ODF-në si një format standard komunikimi mes administratave publike dhe shtetasve. Sipas përditësimeve të strategjisë të planifikuara, që do të botohen në qershor, Agjencia e Sigurimeve Shoqërore në Suedi (Försäkringskassan) është e vendosur të vazhdojë me strategjinë e saj të Software-it të Lirë dhe të mbështesë vazhdimësinë e zgjidhjeve Software i Lirë që përdor. Siç nënvizon Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, Software-i i Lirë e rrit në maksimum vlerën e TI-së duke lejuar përdorim të efektshëm të saj.

Falënderime për krejt vullnetarët , Anëtarët Shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,

redaktorët tuaj, Polina Malaja dhe Erik Albers, FSFE