Ç’është Software-i i Lirë?
I lirë, te Software-i i Lirë, ka të bëjë me lirinë, jo çmimin. I përdorur sipas këtij kuptimi që prej viteve ’80, përkufizimi i parë i plotë i regjistruar duket të jetë te Buletini i GNU-së, vol. 1 no. 1, botuar më shkurt të 1986-s. Në mënyrë të veçantë, Software-i i Lirë përkufizohet bazuar në katër liritë:
-
Liria për ta xhiruar programin, për çfarëdo qëllimi.
Vendosja e kufizimeve ndaj përdorimit të Software-it të Lirë, fjala vjen kohore ("periudhë provë 30 ditore", "licenca skadon më 1 janar, 2004") ndaj qëllimit ("akordim lejeje për përdorim kërkimor dhe jo-komercial", "s’mund të përdoret për prova atestimi cilësish") ose ndaj zonash gjeografike ("s’duhet përdorur në vendin X") e bëjnë një program jo të lirë.
-
Liria për studimin e funksionimit të programit, dhe përshtatjes së tij për nevojat tuaja.
Vendosja e kufizimeve ligjore ose praktike në të kuptuarit ose ndryshuarit të një programi, të tilla si blerja e detyruar e licencave speciale, nënshkrimi i një marrëveshjeje Non-Disclosure-Agreement (NDA) ose - për gjuhë programimi që kanë forma të shumta përfaqësimi - bllokimi i hyrjes në formën e parapëlqyer njerëzore të të kuptuarit dhe përpunimit të një programi ("kodi burim") e bëjnë atë gjithaq pronësor (jo të lirë). Pa lirinë për të ndryshuar një program, njerëzit do të mbesin në mëshirën e një tregtuesi të vetëm.
-
Liria për rishpërndarje kopjesh, që kështu të mund të ndihmoni fqinjin tuaj.
Software-i mund të kopjohet/shpërndahet praktikisht pa kosto. Nëse s’ju lejohet t’ia jepni një program një personi që i duhet, kjo e bën një program jo të lirë. Kjo mund të bëhet kundrejt një pagese, nëse vendosni kështu.
-
Liria për ta përmirësuar një program, dhe për t’i hedhur në qarkullim publikisht përmirësimet tuaja, që kështu të përfitojë krejt bashkësia.
Jo gjithkush është programues njësoj i mirë në krejt fushat. Disa nuk dinë fare si të programojnë. Kjo liri u lejon atyre që nuk kanë kohë ose aftësi për zgjidhjen e një problemi të përdorin tërthorazi lirinë për modifikime. Kjo mund të bëhet edhe me pagesë.
Këto liri janë të drejta, jo detyrime, edhe pse respektimi i këtyre lirive për shoqërinë mund të kërkojë me raste detyrim të individit. Çdo person mund të zgjedhë të mos i përdorë, por mund të zgjedhe edhe përdorimin e krejt atyre. Në veçanti, duhet kuptuar se Software-i i Lirë s’përjashton përdorimin komercial. Nëse një program s’lejon përdorim komercial dhe shpërndarje komerciale, s’është Software i Lirë. Dhe vërtet, një gjithnjë në rritje kompanish po e bazojnë modelin e tyre të biznesit tërësisht ose pjesërisht në Software-in e Lirë, përfshi disa prej tregtuesve më të mëdhenj të software-it pronësor. Software-i i Lirë e bën të ligjshme dhënien e ndihmës dhe asistencës, por jo të detyrueshme.
Terminologji
Software i lirë është termi origjinal për software që respekton lirinë, dhe ka arsye të rëndësishme pse kjo terminologji vazhdon të përdoret sot. Software-i Lirë e vë theksin tek liria, dhe në përkthime ka një dallim të qartë mes lirisë dhe çmimit. Në frëngjisht, Software-i i Lirë bën "logiciels libre", "software libre" në spanjisht, "software libero" në italisht, dhe "Fri Software" në danisht.
Burim i Hapët
Më 3 shkurt 1998, pas njoftimit nga Netscape-i për hedhjen në qarkullim të shfletuesit të tyre si Software të Lirë, një grup personazh u takuan në Palo Alto në Silicon Valley dhe propozuan nisjen e një fushate marketingu për Software-in e Lirë nën termin ``Burim i Hapët.'' Synimi qe komercializimi i shpejtë i Software-it të Lirë dhe pranimi i tij nga kompani dhe investitorë në ekonominë e re që po lulëzonte. Si mjet për këtë qëllim, ata bënë zgjedhjen e vetëdijshme të lënies mënjanë të krejt çështjeve të hequra zvarrë prej kohësh (të tilla si efektet filozofike, etike dhe shoqërore) të lidhura me Software-in e Lirë, duke menduar se këto përbënin pengesa në rrugën e pranimit të shpejtë nga ekonomia. Ata propozuan përqendrimin vetëm në përparësitë teknike1.
Shpesh i përdorur në mirëbesim nga njerëz që i referohen asaj çka përfaqëson Software-i i Lirë, termi "Burim i Hapët" - fillimisht i përkufizuar për të nënkuptuar të njëjtën gjë si Software-i i Lirë për kushtet e licencave dhe sendërtimit - ka parë një inflacion përdorimi. Sot përdoret rregullisht për gjithçka që shtrihet nga Software-i i Lirë deri te tejet pronësori "Governmental Security Program" (GSP) i Microsoft-it2.
Software Libre
Kur Komisioni Europian zuri të merrej rregullisht me Software-in e Lirë, u përpoqën të shmangin dykuptimësinë e fjalëve anglishte "Free Software" dhe keqkuptimet e "Burimit të Hapët" , çka shpuri në birësimin e një termi të tretë që i shfaqur rastësisht që prej 1992-shit: "Software Libre." Ky term është shfaqur rezistent ndaj inflacionit të përdorimit dhe ende përdoret në mënyrë identike me Software-in e Lirë. Kështu që mund të jetë një zgjidhje për këdo që i trembet keqkuptimeve kur flet anglisht.
Shënime
- Për referencë shihni OSI FAQ : "Si lidhet 'burimi i hapët' me 'software-in e lirë'? Nisma e Burimit të Hapët është një program marketingu për software-in e lirë. Është një orvatje tregtimi të 'software-it të lirë' mbi baza të qëndrueshme pragmatike, në vend se mbi kokëfortësi ideologjike. Thelbi fitues nuk ka ndryshuar, qëndrimet dhe simbolizmi humbës po." Jashtë këtij zëri FAQ jo dashamirës, NBH-ja (OSI) dhe përkrahësit e saj në përgjithësi e kanë shmangur termin "Software i Lirë".
- Në këtë program qeveritë dhe organizmat ndërqeveritare paguajnë shuma jo të vogla për një vëzhgim sipërfaqësor të disa pjesëve të kodit burim të Windows-it, në vende speciale të Microsoft-it. Kjo mund të rrisë "sigurinë e perceptuar" por në thelb është e pavlerë - veçanërisht sa kohë që as që e dinë nëse ajo çka panë është çka kanë në kompjuterat e tyre. Dhe sigurisht që s’u jep atyre liri.