"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

News

Puna e FSFE-së gjatë 2015-s

më:
Shkruar nga Jonas Öberg

Nga mësimi i njerëzve të përdorin fshehtëzimin për email-et e tyre, e deri ndryshimi i drejtimit të politikave në shkallë europiane, Free Software Foundation Europe punoi fort gjatë 2015-s për fuqizimin e kontrollit të teknologjisë nga përdoruesit. Me ndihmën e mirëpritur të dhuruesve tanë, i vumë vetes synime ambicioze për vitin. Qemë dëshmitarë të mjaft përmirësimeve në mënyrën se si funksionojmë, dhe e mbyllëm vitin pozitivisht, me plot gjëra për të synuar gjatë 2016-s. Ju lutemi, kënaquni me këtë përmbledhje të (një pjese!) të punës sonë gjatë vitit, dhe faleminderit që na ndihmoni ta bëjmë botën një vend më të mirë!

Software-i i Lirë dhe FSFE-ja për mua janë: ndarje me të tjerët, të nxënit, të qenët i pavarur nga monopolet, prodhimi i gjërave tok, pasion dhe liri! Që kur u bëra një anëtare shok, po gjej shokë të rinj që më ndihmojnë në Software-in e Lirë dhe tema të tjera, duke më mësuar çdo ditë gjëra të reja, edhe pse na ndajnë kilometra të tërë. Është shumë bukur të bësh pjesë në një bashkësi që mbështet vazhdimisht pasionin dhe motivimin tim për Software të Lirë!

Nermin Canik

Njohja e botës me Software-in e Lirë

Duam të ndihmojmë individë dhe organizma të kuptojnë se si kontribuon Software-i i Lirë në lirinë, transparencën, dhe vetë-vendosjen. Një nga rrugët për ta bërë këtë është pjesëmarrja në veprimtari vendore dhe rajonale nëpër Europë, shpesh të organizuara apo mbështetura nga anëtarë shok dhe ekipe tonat vendore. Në 2015-n, patëm stenda në mjaft veprimtari, përfshi FOSDEM (Belgjikë), T-Dose (Holandë), FiFFkon (Gjermani), RMLL/LSM (Francë), Veganmania (Austri), Euskal Encounter (Spanjë), 32C3 (Gjermani), Linuxtage (Austri), Chaos Cologne Conference (Gjermani), Linuxwochen (Austri), FrOSCon (Gjermani), DebConf (Gjermani) dhe OpenTech Summit (Gjermani).

Grupi i Anëtarësisë Shok i Vienës gjatë Veganmania-s.

Grupi ynë i Anëtarësisë Shok për Rhein/Main përfaqësoi Software-in e Lirë dhe FSFE-në me një stendë edhe në një veprimtari të organizuar nga Green Party Hesse. Falë anëtarëve shok vendorë, informacione mbi Software-in e Lirë mbërritën te mjaft persona edhe në konferenca ku nuk qemë formalisht të pranishëm me një stendë. Më tej, organizuam biseda dhe prezantime në mjaft konferenca dhe veprimtari të tjera.

Shtuam përkthimet e materialeve tona informative. Fletëpalosja jonë mbi teknologji fshehtëzimi me bazë Software-in e Lirë u shtyp në jo më pak se nëntë gjuhë të ndryshme (Anglisht, Frëngjisht, Gjermanisht, Greqisht, Holandisht, Polonisht, Shqip, Spanjisht dhe Turqisht) dhe u ofrua për shkarkim në dy gjuhë të tjera (Kineze dhe Italiane). Mund të na ndihmoni t’i shpërndajmë këto fletëpalosje dhe të tjera duke i porositur ato te sajti ynë. Veç fletëpalosjeve tona, buletini ynë i përmuajshëm u përgatit dhe dërgua mesatarisht në shtatë gjuhë të ndryshme.

Një nga fletëpalosjet që përdorim për të përhapur fjalën mbi Software-in e Lirë.

Festimi i pestë radhazi i Ditës E dua Software-in e Lirë qe një tjetër ditë e suksesshme për shfaqjen e vlerësimit, jo vetëm për FSFE-në, por për kontribuesit e Software-it të Lirë ngado. Dashamirës të Software-it të Lirë nga e gjithë bota përhapën në internet mesazhe plot dashuri, përmes letrash dhe poezish falënderuese, si dhe duke ndarë me të tjerët foto dhe duke mbledhur dhurime në përkrahje të grupeve Software-it të Lirë. Në këtë kremtim mbarëbotëror morën pjesë organizma të tillë si EFF, Document Foundation, Wikimedia, Framasoft dhe Partia e Gjelbër Gjermane.

Cryptie duke shpalosur dashurinë për Chatsecure-in gjatë Ditës E dua Software-in e Lirë.

Ndryshim rregullash

FSFE-ja dëshiron të zgjerojë të drejtat e përdoruesve duke shfuqizuar pengesat në adoptimin e Software-it të Lirë. Duke ndjekur synimet tona mbi politikat për periudhën 2014-2019 jemi përfshirë në veprimtari politikash si në shkallë kombëtare, ashtu edhe BE-je.

Në fund të 2014-s, FSFE-ja dha opinionet e veta mbi strategjinë e brendshme të Komisionit (KE) për përdorimin e Software-it të Lirë. Në prill të 2015-s, Komisioni Europian botoi një version të ri të "Strategjisë së vet për Burimin e Hapur" që përfshiu disa përmirësime, krahasuar me versionin e dikurshëm. Për shembull, në të përfshihej një qëndrim më i vendosur ndaj Software-it të Lirë dhe një trajtim më i qartë ndaj Standardeve të Hapura, në të cilin përfshihet promovimi i përdorimit të produkteve që mbulojnë specifikime teknike të hapura që mund të adoptohen, sendërtohen dhe zgjerohen lirisht.

FSFE-ja iu përgjigj edhe konsultimeve publike të Komisionit Europian mbi patentat dhe standardet në shkurt 2015, dhe mbi prokurimet publike dhe respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në korrik të 2015-s.

Një pjesë e ekipit të Ditës së Lirisë së Dokumenteve në Mérida, Venezuelë. Licencuar sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 4.0 License.

Në mars të 2015-s, si pjesë e Ditës së Lirisë së Dokumenteve 2015, FSFE-ja tok me grupin e të Gjelbërve/EFA,  organizuan një seminar për të paraqitur studimin “Sigurimi i transparencës maksimale - Software-i i Lirë dhe Standardet e Hapura nën Rregullat e Procedurës së Parlamentit Europian”, për të rideklaruar rëndësinë e Software-it të Lirë dhe Standardeve të Hapura për transparencën brenda BE-së. Pjesëmarrja në veprimtari të tilla synon shtimin e ndërgjegjësimit mes zyrtarëve të BE-së rreth Software-it të Lirë dhe Standardeve të Hapura dhe varësinë e këtyre standardeve nga formate pronësorë dokumentesh. Ndërgjegjësimi rreth bllokimit të mundësive të zgjedhjes nga tregtuesit po shtohet ngadalë në institucione të BE-së, por mungojnë hapa konkretë për zgjidhjen e këtij problemi. Sido qoftë, pjesëmarrja në veprimtari të tilla qe një mundësi e mirë për ripohimin e pozicioneve tona kryesore mes zyrtarëve të BE-së, të cilët, tek e fundit, janë ata që do të marrin vendimet me peshë për çështjen.

Me disa organizma të tjerë, të tillë si April, EDRi, OFE, dhe OSB Alliance, lëshuam në të njëjtën kohë një deklaratë të përbashkët ku i bëhet thirrje Komisionit Europian të bëjë të mundur që krejt ndërveprimet me publikun të mund të kryhen duke përdorur tërësisht Standarde të Hapura. Kjo u bë për të trajtuar gjendjen e tanishme alarmante në institucione të BE-së, të cilat i detyrojnë qytetarët të përdorin software pronësor prej tregtuesish të dhënë, pa të mund të komunikojnë në mënyrë efikase me to. 

Nën këtë prizëm, 2015-a qe gjithashtu viti kur ne i dhamë fund fushatës tonë gjashtëvjeçare, pasi bindëm 1125 administrata publike të heqin nga sajtet e tyre reklama për software pronësor. Është një nga fushatat tona më të suksesshme deri sot dhe jemi të lumtur tek shohim sektorin publik të ecë në drejtimin e duhur duke mos i detyruar vizitorët e sajteve të tyre të përdorin sofware pronësor. Me gjithë këtë, lypset të bëhet më tepër punë për të sjellë dhe ruajtur ndryshimin e nevojshëm. 

Për të forcuar më tej të drejtat e përdoruesit, tok me mjaft organizma të tjerë lëshuam një deklaratë në maj të 2015-s që i kërkon Komisionit Europian të vendosë masa mbrojtëse për t’i lejuar kujtdo të drejtën të merret me pajisjet e veta. Në mënyrë të ngjashme, gjatë 2015-s, ndihmuam t’i jepej fund rrugëzuesve të detyruar në Gjermani, me një ligj që u bën të mundur përdoruesve të jenë të lirë të zgjedhin rrugëzuesin e tyre me Software të Lirë. Kjo do të duhej të shërbente si një shembull kudo në Europë, dhe përkrahim ligjshmëri të ngjashme kudo që nevojitet.

Një nga rrugëzuesit e përpunuar si pjesë e fushatës sonë mbi rrugëzuesit e detyruar. Foto nga Scott Beale / Laughing Squid. Licencuar sipas një licence Creative Commons Attribution-NonCommercial 2.0 License.

Që nga maji i 2015-s,  politika europiane është përqendruar fort te strategjia për një Treg të Përbashkët Dixhital (TPD) e cila përfshin disa ndryshime të rëndësishme politike dhe ligjore në fusha të rëndësishme të punës sonë me politikat, me qëllim sigurimin e "efikasitetit, besueshmërisë dhe sigurisë në shërbimet dixhitale" në BE. Konkluzionet tona për Komisionin Europian mbi Strategjinë e një Tregu të Përbashkët Dixhital u pritën mirë dhe presim që Komisioni të ndjekë rekomandimet tona gjatë punës me nisma ligjore brenda TPD-së. 

Ne ndoqëm nga afër dhe raportin e vetë Parlamentit Europian "Drejt një tregu të përbashkët dixhital", i cili bazohej në strategjinë e Komisionit për një Treg të Përbashkët Dixhital. Ne informuam eurodeputetë rreth problemesh ekzistuese për Software-in e Lirë në proceset e standardizimit, dhe propozuam zgjidhje të mundshme, bazuar në vlerësimet tona mbi TPD-në. Versioni përfundimtar i pranuar i raportit përfshinte disa referenca pozitive ndaj Software-it të Lirë dhe jemi të kënaqur tek shohim parlamentin të përkrahë pikat tona për rritje të përdorimit të Software-it të Lirë në sektorin publik.

Tjetër fushë e rëndësishme për Software-in e Lirë ka qenë reforma e të drejtave të kopjimit në BE, ende në zhvillim. Gjatë 2015-s, dhamë vlerësimet tona për raportin e vetë Parlamentit Europian mbi sendërtimin e Direktivës 2001/29/EC (Direktiva InfoSoc), si në draftin, ashtu edhe në versionin përfundimtar të adoptuar. Versioni përfundimtar përfshiu pak përmirësime pozitive për Software-in e Lirë, p.sh. mbrojtje më të mirë të pronësisë publike dhe mbrojtje të deklaruar kundër masash teknike të kopjimit privat. Shpresojmë që në 2016-n Komisioni do të marrë parasysh rekomandimet jodetyruese të Parlamentit dhe të shfrytëzojë rastin për të adoptuar ligje të drejtash kopjimi nevojave të mjedisit dixhital.

Një nga rrjetet më të mëdhenj të FSFE-së që mbajmë në këmbë është rrjeti ynë ligjor, i cili në 2015-n u rrit në më tepër se 380 anëtarë, si me profesionistë të ligjeve, ashtu edhe teknologjistë me njohje dhe zotërim të proceseve të licencimit të software-it të lirë. Rrjeti ligjor është unik, nga fakti që s’është ngritur mbi përfaqësim biznesesh ose organizmash, por mbi individë dhe besim mes individësh dhe ekipit tonë ligjor, një format që po përpiqemi aktivisht ta riprodhojmë edhe në fusha të tjera, për të shpënë më tej në mënyrë të ngjashme dialogun dhe të kuptuarin e software-it të lirë.

Ekipi ynë ligjor vazhdoi t’u përgjigjej shqetësimeve ligjore të ndryshme përgjatë gjithë vitit, të ardhura kryesisht nga anëtarë të bashkësisë së Software-it të Lirë, dhe organizoi sërish Praktikën vjetore të rrjetit tonë mbi Anë Ligjore & Licencime. Në fund të 2015-s, grupi special i interesit (GSI) që merret me shenjat tregtare në Software-in e Lirë hodhi në qarkullim një Udhërrëfyes praktik për kuptimin e shenjave tregtare në kontekstin e projekteve të Software-it të Lirë dhe me Burim të Hapët. Për ne është nxitëse të shohim gjatë vitit persona që i afrohen rrjetit dhe mësojnë rreth përfitimeve të copyleft-it dhe se si punojnë me sukses me copyleft-in dhe software-in e lirë në përgjithësi, qoftë bizneset, qoftë organizma të tjerë .

Në fillim të 2015-s, një pjesë e punës tonë u përqendrua te Bacula, të drejtat e të cilit i mbante FSFE-ja, për shkak të përdorimit prej tij të marrëveshjes tonë Fiduciary License Agreement (FLA). Interesi parësor i FSFE-së ka qenë mbajtja e Bacula-s Software i Lirë. Me këtë pikësynim në mendje, ne ramë dakord të rishpërngulim me kusht disa nga të drejtat që mbante FSFE-ja dhe në një marrëveshje të re mes Kern Sibbald-it, Bacula Systems dhe FSFE-së, ramë dakord që versioni Bacula Community duhet të vazhdojë të hidhet në qarkullim si Software i Lirë, dhe se FSFE-ja do të ketë të drejtën të rimarrë mbrapsht të drejtën përjashtimore mbi kodin në fjalë, në rast se ky ndryshon ndonjë herë.

Financat e FSFE-së

Me një buxhet vjetor tani më shumë se €400000 në vit, që është gati katër herë më tepër se sa e kishim dhjetë vjet më parë, organizmi, ashtu si edhe burimet e veta financiare, vazhdojnë të rriten, kryesisht falë shtimit të vazhdueshëm të dhuruesve individualë dhe anëtarëve tanë dhurues, Anëtarëve Shok.

Nga vijnë fondet e FSFE-së

Në 2015-n, FSFE-ja pati €441963 të ardhura. Rreth 40% e tyre vjen nga kontribute të Anëtarësisë Shok (diku te 35% në 2014-n) dhe një 35% tjetër nga dhurime të pakufizuara (që do të thotë se këto para s’lidhen me ndonjë veprimtari të caktuar zhvilluar prej nesh). 18% e të ardhurave tona erdhi nga sponsorë veprimtarish të caktuara (Praktika mbi Çështje Ligjore & Licencime në Software-in e Lirë, dhe Dita e Lirisë së Dokumenteve) dhe 7% nga shitja e artikujve tregtarë në stenda dhe përmes porosish nga interneti.

FSFE-ja ka një angazhim transparence për të shfaqur dhuruesit tanë që kontribuojnë me më shumë se 10% të buxhetit tonë vjetor. Për 2015-n, dhuruesi ynë i vetëm që kontribuoi më shumë se kaq qe Google, me një dhurim që përfaqëson 14% të të ardhurave vjetore të organizmit tonë.

82% e të ardhurave të FSFE-së është pa kufizime, ndërsa 18% është e lidhur me qëllime të caktuara -- kryesisht me sponsorizime të përmendura më sipër. Kontributet e Anëtarësisë Shok vazhdojnë të jenë të rëndësishme për punën tonë dhe shohim një kthesë graduale drejt rritjes së kontributit të Anëtarësisë Shok (me 9% nga 2014 në 2015-n, dhe një mesatare dhurimi prej 124€ në 126€) që është baza e pavarësisë financiare të FSFE-së.

Si i shpenzojmë paratë

Pavarësisht se si e shihni paranë që shpenzon organizmi, sasia më e madhe e saj do të jenë pagat e nëpunësve, përfshi fonde për praktikantë dhe trajnime që mbulojnë nga disa muaj deri një vit pranë FSFE-së për të mësuar rreth Software-it të Lirë dhe kontribuar në punën tonë. Ekipi i FSFE-së me pjesëtarë të sprovuar dhe të përkushtuar kontribuon fort në suksesin e organizmit, dhe kontribuon edhe në mundësimin e punës vullnetare të qindra anëtarëve tanë shok dhe nga bashkësia. Shpenzimet gjithsej për 2015-n qenë €431216, prej të cilave 63% u shpenzua për kosto personeli.

Në pika të tjera ku përqendrohet kostoja, shpenzuam 15% për administrim (kosto zyre, bashkërendim të brendshëm, infrastrukturë teknike, kosto veprimesh bankare, dhe gjithçka na duhet për mbajtjen në punë të organizmit dhe plotësimin e detyrimeve ligjore të tij).

Po të shihet shpërndarja e kostove sipas punës me politikat, ndërgjegjësimin e publikut, puna ligjore dhe artikujt tregtarë (blerja dhe dërgimi), 48% e fondeve shkuan për punën ligjore, 28% për ndërgjegjësimin e publikut, 24% për artikujt tregtarë dhe thuajse asgjë për politikat! Kjo e fundit ndodh ngaqë shumica e kostove për punën me politikat vjen nga koha e ekipit, jo nga udhëtime apo materiale që duhen prodhuar. Qe paksa më e lartë në 2014-n, por, në përgjithësi, investimi ynë për politikat përfaqësohet si investim në kohë pune të ekipit.

Dhe meqë jemi te koha e punës së ekipit, pjesa më e madhe e saj shkon për ndërgjegjësimin e publikut (32% e kohës së punës nëpër organizëm). 24% shpenzohet për punë ligjore, 10% për politikat dhe 3% për artikujt tregtarë. 31% i mbetur është punë administrative, ku përfshihet gjithçka, nga administrimi i brendshëm dhe mbledhjet, deri te leximi dhe përgjigja email-eve, dhe përbën shifrën më të vështirë për t’u matur, meqë një pjesë e madhe e asaj çka mund të shihet si administrative (lexim dhe shkrim email-sh), mund të shihet edhe si mbështetje për njërën nga fushat tona të tjera të punës, fjala vjen, ndërgjegjësimi i publikut.

Ç’pritet për 2016-n

Për 2016-n, vëmendja jonë do të jetë te trysnia për kërkesën tonë që krejt software-i i financuar me para publike të botohet si Software i Lirë, dhe që kushdo të ketë të drejtën të eksperimentojë me hardware-in dhe software-in e vet. Do të punojmë gjithashtu që të ofrojmë trajnim për vullnetarët tanë dhe të nisim bashkërendimin e grupeve të Software të Lirë aktivë në çështje politikash në BE. Kemi përpara një vit ngazëllues për Software-in e Lirë, dhe shpresojmë të bëheni pjesë e jona rrugës!

Sinqerisht,
Jonas Öberg
Drejtor i Përgjithshëm

Matthias Kirschner
President