Buletini i FSFE-së - nëntor 2016
Konsultim publik mbi Anëtarësinë tonë Shok
Që prej 2005-s, FSFE-ka ka mirëmbajtur dy marka të dallueshme: FSFE-në dhe Anëtarësinë tonë Shok. Ndërkohë që kjo kish kuptim fillimisht, është bërë gjithnjë e më e parehatshme mënyra se si kjo krijoi një ndarje mes Anëtarëve Shok dhe FSFE-së si dy entitete të ndarë, pavarësisht faktit që punojmë të tërë tok! Për këtë arsye, e kemi ulur numrin e veprimtarive tona që promovojnë "Anëtarësinë Shok" si diçka ndaras nga FSFE-ja, dhe tani flasim më tepër rreth "Grupesh FSFE", në vend se "Grupe Anëtarësie Shok", kur vjen puna për grupet tanë vendorë.
Tani na duhet të dalim me një vendim se si të zhvillohen këto marka në të ardhmen. Bazuar një një diskutim fillestar mes bashkërenduesve tanë dhe ekipit tonë bazë, kemi hartuar një propozim që e gjeni më poshtë: ai, në thelb, nënkupton se do ta nxjerrim nga përdorimi Anëtarësinë Shok, dhe do të bëjmë gjithçka tok nën ombrellën e FSFE-së. Si një pjesë e rëndësishme e bashkësisë tonë, idetë tuaja janë të vlefshme për ne. Për këtë konsultim publik, do të ishim të lumtur të dëgjonim mendimet tuaj mbi këtë temë deri më 30 nëntor 2016, pas së cilës do të sjellim një përmbledhje të ideve të marra, mbi të cilat do të bazojmë vendimin tonë.
Çfarëdo ndryshimesh që do të rrjedhin nga ky propozim, në formën e tij të tanishme apo si do ta formojmë bazuar në mendimet e marra, do të vihen në jetë gjatë 2017-s. Mendimet tuaja mund t’i jepni te contact@fsfe.org.
Ju lutemi, mbani parasysh se në propozimin e mëposhtëm përdorim termin "Përkrahës" si një alternativë e re për "Anëtar Shok". Do të donim shumë të dëgjonim mendimin tuaj edhe mbi këtë pikë. Te mundësitë e tjera të propozuara përfshihen "Patron", "Përkrahës", "Kontribues", "Dhurues", dhe, me gjasa, emra të tjerë që mund t’ju vijnë në mend. Mbetet edhe mundësia për të ruajtur emrin "Anëtar Shok" si term, dhe të nxirret nga përdorimi vetëm "Anëtarësia Shok".
PROPOZIM
Emrat "Anëtarësi Shok" dhe "Anëtar shok" nxirren nga përdorimi. Veprimtaritë e kryera nga grupe vendore, ose që ndryshe janë emërtuar duke i lidhur me markën "Anëtarësi Shok", duhet të kalojnë nën emrin "FSFE": veprimtari FSFE, grup vendor FSFE, e me radhë.
"Bashkësia" jonë është cilido që identifikohet si pjesëtar i FSFE-së, qoftë kjo përmes përkrahjes dhe nxitjes së veprimtarive tona, përmes kontributit financiar, ose duke marrë pjesë në punën tonë. Duam që cilido të jetë pjesë e bashkësisë sonë, pavarësisht nga shkalla e tyre e angazhimit.
Cilido që kontribuon financiarisht, duke patur në mendje të kontribuojë periodikisht, është një "Përkrahës" i FSFE-së. Këshilli mund të vendosë një dysheme minimum për kontribute periodike, për të kompensuar kostot e transaksioneve. Nga pikëpamja financiare, Përkrahësit tanë furnizojnë themelet e qëndrueshme mbi të cilat ekziston FSFE-ja: kontributet e tyre periodike i japin organizmit qëndrueshmëri. Kontribuesit që dhurojnë vetëm një herë i quajmë "Dhurues".
Këdo që dëshiron të jetë pjesë e veprimtarive tona, e nxitim të bëhet pjesë e një prej ekipeve tona: qoftë një ekip rreth një subjekti të dhënë (përkthim, webmaster, ose të ngjashme), qoftë ekip gjeografik (ekipi i Berlinit, ekipi skandinav, e me radhë). Duke u bërë pjesë e një prej ekipeve tona, ata bëhen "Anëtar Ekipi" i atij ekipi (anëtar i ekipit system-hackers, anëtar i ekipit të përkthimeve).
EIF v.3 – shtetasit kërkojnë më tepër Software të Lirë, ndërsa bizneset kërkojnë të promovojnë Standarde të Hapura të vërteta
Komisioni Europian (EC) ka botuar më së fundi përmbledhjen e kontributeve të marra për konsultimin e tij publik rreth rishikimit të Kuadrit Europian të Ndërveprueshmërisë (EIF), një grup udhëzimesh për administrata publike mbi ofrimin prej tyre të shërbimeve e-qeveri. FSFE-ja ka parashtruar më herët komentet e veta dhe rekomandimet për skicën e propozuar. Sipas përfundimeve të konsultimit publik, shumica e përgjigjeve nga shtetasit kërkuan më tepër Software të Lirë dhe Standarde të Hapura, gjatë rishikimit të EIF-së, ndërkohë që përgjigjet nga bizneset dhe organizmat private kërkuan që Komisioni Europian "të promovojë përdorimin e standardeve të hapura (të vërteta) dhe përkrahje të standardeve në teknologjitë e reja". Shpresojmë që Komisioni Europian të ndjekë dëshirat e shtetasve të BE-së dhe t’i sendërtojë këto rekomandime në EIF-në e rishikuar.
Nga bashkësia
André Ockers shkroi rreth pjesëmarrjes së tij në Kuvendin e parë të FSFE-së dhe kremtimit të 15-vjetorit të saj, siç bëri edhe Guido Arnold, që shkroi në blog rreth përvojës së tij në kuvendin e FSFE-së.
Björn Schießle shkruan në blog mbi Historinë dhe të Ardhmen e Federimit në Re ku shpjegon konceptin e ndarjes së të dhënave me të tjerët sipas modelit shërbyes-me-shërbyes në Owncloud/Nextcloud dhe zhvillimet e tij drejt një "ID-je të federuar në re", që duket i ngjashëm me një adresë email. Ashtu si edhe email-i, "reja e federuar" i referohet një përdoruesi në një shërbyes të dhënë.
Ju interesojnë komunikimet e atypëratyshme? Daniel Pocock ju nxit të bëheni një folës dhe të merrni pjesë në FOSDEM 2017, një nga konferencat më të mëdha në botë të programuesve të Software-it të Lirë në veçanti.
Iain R. Learmonth paraqet PATHspider 1.0.0 dhe nxjerr në pah ndryshimet që janë bërë pjesë e versionit më të ri të kësaj platforme për analiza rrjeti.
David Boddie ju jep një shpjegim hap pas hapi se si të krijohen pamje disku për sistemin operativ Inferno.
Ç’kemi bërë tjetër?
Zv.presidenti i tanishëm i FSFE-së, Alessandro Rubini, e la postin e tij për ta përqendruar punën e vet me bashkësinë e Software-it të Lirë në Itali. Në vendin e tij vjen Heiki Lõhmus, një student i inxhinierisë aeronautike, nga Estonia. Alessandro Rubini është mbrojtës për një kohë të gjatë i Software-it të Lirë: si zv.president i FSFE-së, ai ka dhënë ndihmesë përmes përpjekjesh të paçmueshme për shpënien përpara të Software-it të Lirë, jo vetëm në Itali, por kudo në Europë. Heiki Lõhmus ka lobuar aktivisht në qeverinë estoneze për botimin e software-it të përdorur për zgjedhjet në Estoni si Software i Lirë dhe tani merr skeptrin e zv.presidentit të FSFE-së për të vazhduar punën e shkëlqyer të Rubini-t.
FSFE-ja i dërgoi qeverisë se re që po krijohet në shtetin e Berlinit tre rekomandime për veprim lidhur me nxitjen e përdorimit dhe sendërtimeve të Software-it të Lirë (në gjermanisht).
Grupi vendor i FSFE-së për Rinin/Mainin qe i pranishëm në festivalin e rrugës (Rotlintstraßenfest) në Frankfurt për të promovuar FSFE-në dhe për të shpjeguar dhe informuar njerëzit mbi Software-in e Lirë.
Hacker-at tanë të sistemit kanë vendosur të nxjerrin nga puna shërbimin tonë (shumë) të vjetër për blloqe shënimesh. Ftojnë këdo të interesuar që FSFE-ja të ofrojë një shërbim blloqesh shënimesh të lidhet me ta për të krijuar një ekip të ri që të mund të krijojnë një shërbim të ri blloqesh shënimesh.
Nga 24 deri më 27, presidenti i FSFE-së, Matthias Kirschner dhe analistja e politikave në FSFE, Polina Malaja, morën pjesë në disa veprimtari bashkësish në Greqi. Mbajtën biseda në Universitetin Kombëtar Teknik të Athinës, në Athens Hackerspace (në greqisht) dhe në Fondacionin Kombëtar Grek të Kërkimeve (në Greqisht).
Më 4-6 tetor, FSFE-ja qe e pranishme me një stendë në LinuxCon + ContainerCon Europe 2016, që u zhvillua në Berlin.
"FreieSoftwareOG" përfaqësoi FSFE-në me një stendë në Ofenburg (në gjermanisht).
Hidhuni në veprim!
Ju lutemi, lexoni propozimin lidhur me markën e Anëtarësisë Shok më sipër dhe na dërgoni komentet ose mendimet tuaja te contact@fsfe.org.
Lajme të Mira nga Software-i i Lirë
Autoriteti i prokurimeve publike të shtetit frëng rinovoi dy kontratat e veta për shërbime asistence të software-it të lirë që u furnizohet ministrive dhe agjencive të tjera qeveritare. Të dyja kontratat i janë akorduar Linagora-s, një furnizues frëng shërbimesh software-i të lirë dhe qenë filluar së pari më 2012-n. Të tjera lajme të mira nga Franca dhe qyteti i Nantës, ku kalimi në LibreOffice prillin e shkuar i ka ulur kostot TI me 1.6 milionë euro dhe do të vazhdojë t’i kursejë administratës publike 260 000 euro në vit.
FSFE-ja në shtyp
- netzpolitik.org [DE] Berliner Koalitionsverhandlungen als Chance für Freie Software.
- netzpolitik.org [DE] Urheberrecht: USA erlaubt Tüfteln an eigenen Geräten.
- PCMAG [EL], The President of the FSFE in Athens.
- Business news [EL], GFOSS: Talks about Free Software.
- Greek Union of Computer Engineers [EL], Free Software Day with the FSFE President Matthias Kirschner.
- epixeiro.gr [EL], Free Software, Open Access and Enterpreuneship Day.
Na ndihmoni të përmirësojmë buletinin tonë
Mendoni se humbëm ndonjë lajm, ose do të donit të shfaqen në buletinin tonë të ardhshëm lajme të caktuara? Keni lexuar diçka në shtyp rreth FSFE-së dhe do të donit ta ndanit me ne? Për të tilla, dhe çfarëdo mendimesh të tjera, na shkruani te newsletter@fsfe.org
Falënderojmë krejt vullnetarët, anëtarët shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
redaktorët tuaj, Erik Albers, Olga Gkotsopoulou, Jonas Öberg dhe Polina Malaja, FSFE