"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

News

Puna e FSFE-së gjatë 2014-s

më:
Shkruar nga 

Me çka bëjmë sot, ndikojmë të nesërmen e botës. FSFE-ja i ndihmon njerëzit të kuptojnë se si ndikon teknologjia në të drejtat dhe liritë e tyre, dhe i aftëson të përcaktojnë rrugën e tyre në botën dixhitale. Shihni se ç’arritëm gjatë 2014-s, dhe se ku do të mbërrijmë më pas!

Software-i i Lirë nuk ka qenë kurrë më i nevojshëm se sa sot për gazetarët dhe veprimtarët anembanë botës. FSFE-ja ndihmon t’i jepet botës një formë ku teknologjia i fuqizon përdoruesit, në vend se të na shtypë.

Amaelle Guiton, gazetare për kulturën e hacker-ave dhe privatësisë

Do të doja të ndaja me ju një përmbledhje të punës që kemi bërë gjatë vitit 2014. Mbështetja nga ana juaj, si anëtar shok, na ka lejuar të mbërrijmë në më tepër njerëz se kurrë më parë, dhe të arrijmë një ndikim të rëndësishëm. Na ka lejuar gjithashtu të investojmë kohë dhe përpjekje për ta bërë FSFE-në më të efektshme. Me rëndësi në një kohë përpjekjesh të panumërta grupesh me industrinë nga pas, kontributi juaj na ka ndihmuar ta mbajmë FSFE-në të tillë si e duam: Kokëfortësisht e pavarur dhe me vështrim përpara për larg.

Ja dhe përmbledhja jonë vjetore. Ju faleminderit që na ndihmoni për ta bërë botën një vend më të mirë!

T’i flitet botës për Software-in e Lirë

Mbërritja e mesazhit të Software-it të Lirë në sa më tepër njerëz që mundet është një nga gjërat kryesore me të cilën merremi në FSFE. Duke bashkëpunuar me anëtarë shok të FSFE-së, miq dhe aleatë, i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se si liria e software-it u lejon të marrin nën kontroll teknologjinë në jetën e tyre.

Anëtarët shok të FSFE-së janë ambasadorë të shkëlqyer për lirinë e software-it. Grupi i anëtarësisë shok për Zyrihun erdhi në jetë këtë vit. Grupi botoi një artikull të hollësishëm për pozicionin e tij lidhur me aftësinë e organizmave publike zvicerane për të shpërndarë Software të Lirë, dhe ndërmori një fushatë pakti për Software-in e Lirë në zgjedhjet vendore. Këta vullnetarë formuan një ekip kombëtar në Zvicër, organizuan dhe zhvilluan një fushatë të tyren Pakti Software-i të Lirë, dhe botuan një artikull për të deklaruar pozicionin e tyre lidhur me çështjen OpenJustitia.

Një tjetër ekip anëtarësh shok u mblodh tok për të formuar ekip kombëtar në Holandë, që administron kafe private, stenda gjatë veprimtarish, dhe fuqizon angazhimin vendor në radhët e anëtarëve shok.

Për fushatën Dita e Lirisë së Dokumenteve të këtij viti, bashkëpunuam me vullnetarë anembanë globit për të shpjeguar dhe promovuar Standardet e Hapura gjatë 51 veprimtarish në 21 vende.

Dita e Lirisë së Dokumenteve në El Tigre, Venezuelë

Në Mynih, Gjermani, grupi vendor i anëtarëve shok arriti sukses të madh në media, gjatë zgjedhjeve vendore të këtij viti në Mynih, me përpjekjet për të siguruar përdorimin e Software-it të Lirë në administratë, në një kohë ndryshimesh politike. Grupi vazhdon ta ndjekë nga afër procesin politik, dhe të ngjizë në administratën e qytetit rezistencë kundër lobimit agresiv nga ana e disa tregtuesve pronësori.

Veprimtaritë dhe konferencat janë ende rruga e vetme më e mirë për të vendosur lidhje personale me njerëz që mund të jenë të interesuar për Software-in e Lirë. Për Software-in e Lirë kemi folur në biseda, praktika, diskutime, emisione në radio dhe disa herë në TV. Për shumë nga këto veprimtari, anëtarë shok të FSFE-së mbuluan organizmin e pjesëmarrjes tonë dhe të stendës. Përmbi konferencat dhe veprimtaritë e zakonshme TI, e zgjeruam shtrirjen tonë drejt festivalesh të rrugës në Mynih dhe Dyseldorf (Gjermani), si dhe në festivale dhe konferenca lojërash në Vjenë. Ky kënd i ri shtrirjeje funksionoi mirë, dhe duam të jemi të pranishëm në mjaft veprimtari të tilla vitin tjetër.

Në shumë raste, këto veprimtari janë gjithashtu një mundësi për njerëzit të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga FSFE-ja për kalimin e organizmave të tyre në hullinë e Software-it të Lirë. Me këtë mënyrë kemi ndihmuar kishën protestante të rajonin gjerman të Renanisë të inkuadrojë Software të Lirë në strategjinë e vet TI, dhe jemi ndërkohë të angazhuar në një bashkëbisedim të ngjashëm me Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian.

Vullnetarja turke e DLD-së, Nermin Canik dhe Karsten Gerloff në Stamboll

Sigurisht, nuk bazohemi vetëm në fushata dhe veprimtari. Fjalën për Software-in e Lirë e përhapim çdo ditë, dhe ndihmojmë të tjetër të bëjnë të njëjtën gjë. Shpesh, ekipi ynë i mrekullueshëm i përkthyesve na ndihmon ta bëjmë këtë në gjuhë të ndryshme. Gjatë 2014-s, buletini ynë mujor u përkthye mesatarisht në gjashtë gjuhë. Të njëjtët vullnetarë na ndihmojmë ta kemi sajtin në 30 gjuhë.

Njerëzit që duan t’u flasin shokëve dhe fqinjëve mbi Software-in e Lirë mund të porositin paketa informacioni te sajti ynë. Dërgojmë mesatarisht dhjetë paketa në muaj. Njerëzit mund t’i porositin falas këto përmes sajtit tonë, por jemi mirënjohës për dhurime që të mbulojmë kostot e shtypjes dhe dërgimit. Si fletëpalosja jonë për njohje me Software-in e Lirë, ashtu edhe ajo për F-Droid-in janë gati në pesë gjuhë. Tani afër shtuam një të ngjashëm mbi “vetëmbrojtjen e email-eve” në Gjermanisht dhe Anglisht (së shpejti ta kemi në më shumë gjuhë); kërkesa për të ka qenë kaq e madhe sa kemi patur tre rishtypje të tij. Vullnetarët e shpërndanë këtë fletushkë në shfaqjen premierë të filmit “Citizenfour”.

Të ndryshosh rregullat

Qeveritë nxjerrin rregulla. Duke punuar me politikanë dhe administratorë, FSFE-ja përpiqet të sigurojë që ligjet dhe institucionet kujdesen për të drejtat dhe liritë e njeriut së pari.

Për zgjedhjet europiane të majit 2014, ndihmuan shoqatën frënge të Software-it të Lirë, April, për një Pakt Software-i të Lirë. Ftuam kandidatë në këto zgjedhje të nënshkruajnë paktin, duke u kërkuar të mbajnë fjalën dhe të përdorin mandatin e eurodeputetit për promovimin e Software-it të Lirë. Mjaft anëtarë shok të FSFE-së u lidhën me kandidatët në zonat e tyre për t’ua kërkuar këtë. 33 nga nënshkruesit e paktit tani janë anëtarë të Parlamentit Europian. Këtë përpjekje do ta përsëritim në zgjedhje të ardhshme. Jemi duke bërë përgatitjet për zgjedhjet zvicerane të 2015-s. Me më shumë burime në dorë, do të mund të shpenzonim më tepër kohë për të ndjekur vazhdimin e historisë me nënshkruesit dhe, duke përdorur kontaktet që vendosëm gjatë fushatës, t’u bëjmë të ditur se ç’do të duhej të bënin për të përmirësuar gjendjen e Software-it të Lirë.

Shtrirja e Software-it të rrugë - Berlin

Me qëllim që përdoruesit të marrin në dorë kontrollin e pajisjeve të tyre, e vazhduam trysninë mbi “punimin e besueshëm në kompjuter” dhe “SecureBoot”. E ngritëm këtë çështje në Zyrën Federale gjermane Mbi Sigurinë e Informacionit, dhe në ministrinë e ekonomisë dhe atë të punëve të brendshme. Në shkallë BE-je, filluam bashkëbisedime rreth alternativash të tilla si CoreBoot. Po ushtrojmë trysni për të bërë të mundur që konsumatorët të kenë mundësi të instalojnë sisteme operative alternative në pajisjet që blejnë dhe zotërojnë. Synimi ynë është të përdorim përparimin e arritur në Gjermani për të nxitur përparime të ngjashme në vende të tjera europiane, dhe tek e fundit, t’i vendosim të zotët e hardware-it dhe software-it në kontroll të plotë të tyre.

Në frontin e prokurimeve publike, kemi ushtruar trysni të fortë që Komisioni Europian të përmirësojë rrugën sipas të cilës siguron software, me qëllim që të krijojmë mundësi për Software të Lirë dhe Standarde të Hapëta. Duke përdorur mekanizmin e BE-së “liri informacioni”, dhe pyetje parlamentare, bëmë që Komisioni të hedhë në qarkullim dokumente rreth mënyrës se si strukturohen kontratat e tij me Microsoft-in dhe të tjerë furnizues. Arritëm të merrnim gjithashtu një dokument që përvijon [strategjinë për software desktopi] [pdf] të Komisionit për vitet e ardhshme. Kjo përpjekje hapi dyert për disa takime me vendim-marrës TI të nivelit të lartë në Komision dhe Parlament, dhe na ka krijuar mundësinë të fillojmë një bashkëbisedim konstruktiv me ta rreth hapave që duhen ndërmarrë pas kësaj. Për shembull, Komisioni na ka kërkuar të japim mendime për versionin e ardhshëm të “strategjisë së tij për burimin e hapët”.

Rrugëzuesi që lidh shtëpinë tuaj me Internetin duhet të jetë nën kontrollin tuaj. Kjo është arsyeja pse i kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në çështjen e rrugëzuesve të detyruar. Kemi botuar dokumente me tezat tona, dhe kemi dokumentuar qoftë argumentet, qoftë procesin, në Gjermanisht, Anglisht, dhe Holandisht. Mbështetëm me argumente dhe ekspertizë teknike organizma të tjerë, të tillë si Federata e Organizmave Gjermanë të Konsumatorit. Ministria gjermane e ekonomisë po punon për një draft ligji lejimi zgjedhjeje të lirë rrugëzuesish, dhe për ndalimin e rrugëzuesve të detyruar.

Veprimtaria jonë ligjore lidhur me Software-in e Lirë

Liria përballet me mjaft sfida. FSFE-ja ndërton rrjete mes njerëzve që mund të bëjnë shumë për të thërrmuar pengesat në rrugën drejt një shoqërie të lirë.

Ne i lehtësojmë punën rrjetit më të madh në botë të ekspertëve ligjorë të Software-i të Lirë, me më tepër se 360 anëtarë deri sot (nga 320 vitin e shkuar). Ekspertët pjesëmarrës vijnë nga një gamë e gjerë fushash, prej seksionesh ligjore korporatash deri te avokatë privatë, dhe inxhinierë me dije ligjore. Rrjeti shërben për të hartuar dhe përhapur praktikat më të mira për Software-in e Lirë, dhe për të shtuar pranimin e tij. Disa pjesëmarrës kanë organizuar takimin vjetor të rrjetit, Praktikë Ligjore & Licencuese për Software-in e Lirë, veprimtaria më e mirë në botë për llojin e vet.

Ngjitësi ynë i parapëlqyer për këtë vit.

Këtë vit, lindi gjithashtu, prej përpjekjeve tona, Rrjeti Ligjor Aziatik, një forum diskutimesh posaçërisht me fokus kompanitë e rajonit, të cilat prodhojnë shumicën e hardware-it dhe pajisjeve të trupëzuara të botës. Me veprimtari të bashkërenduara me Open Invention Network dhe Linux Foundation, ky grup është menduar t’i ndihmojë ato kompani të marrin pjesë në bashkëbisedimin mbarëbotëror mbi praktikat më të mira të Software-it të Lirë, dhe për t’i ndihmuar në përmirësimin e përputhshmërisë së licencave.

Ekipi ligjor i FSFE-së u mor me disa dhjetëra kërkesa nga zhvillues dhe kompani rreth të drejtash kopjimi, licencimesh, shenjash tregtare, patenta dhe mjaft aspekte të tjera të Software-it të Lirë. Bashkërenduesi ynë ligjor Matija Šuklje u është përgjigjur gjithashtu mjaft pyetjeve në konferenca dhe veprimtari, si dhe në mjediset e CyberPipe-it në Ljubljanë, ku punon një ditë në javë.

Përmirësimi i FSFE-së

Këtë vit mund të shpenzonim pak kohë për të rishqyrtuar synimet e FSFE-së, dhe rrugët përmes të cilave punojmë për to. Realizuam një pyetësor të të interesuarve për të mësuar më tepër rreth njerëzve që interesohen për FSFE-në, biseduam me shumë miq dhe aleatë rreth punës dhe orientimit të FSFE-së, dhe rishqyrtuam veprimtaritë tona.

Me një grup të vogël ekspertësh të brendshëm dhe të jashtëm, përvijuam më në fund një mënyrë më të mirë për të shpjeguar qëllimin e FSFE-së, i cili pasqyron me përpikëri orientimin që dëshirojmë të marrë organizmi në vitet e ardhshme. Ky qe një proces i brendshëm i fuqishëm dhe tejet produktiv. Përfundimet do të duken me kalimin e kohës, teksa përparësia e FSFE-së shtohet, dhe ne bëhemi më të efektshëm se sa jemi sot.

Financat e FSFE-së

Kjo ndarje bazohet në përfundimet financiare deri në mbarim të katërmujorit të tretë të 2014-s. Të dhënat e FSFE-së për vite financiare të së kaluarës mund t’i is gjeni në linjë. Shifrat përfundimtare për 2014-n do t’i botojmë sapo të jenë gati.

Prej nga vijnë fondet e FSFE-së

FSFE-ja ka një buxhet vjetor përafërsisht prej 400 mijë eurosh. 35% e këtij buxheti mbulohet prej kontributeve të anëtarëve shok. 25% mbulohet nga sponsorizimet për veprimtari të caktuara të përvitshme (kryesisht Praktika Ligjore & Licencuese për Software-in e Lirë, dhe Dita e Lirisë së Dokumenteve). 20% vjen prej tre dhurues të mëdhenj (Google, Linuxhotel dhe Red Hat), dhe 15% prej dhurime nga kompani më të vogla ose privatë (shihni [listën tonë të dhuruesve]. Pjesa tjetër vjen prej burimesh të tilla si shitje artikujsh të ndryshëm, pagesa për folës, e me radhë.

75% e të ardhurave të FSFE-së është e pakufizuar lidhur me përdorimin, ndërsa 25% është e përcaktuar për qëllime të caktuara – kryesisht sponsorizime për gjëra të përmendura më sipër.

Stenda e FSFE-së në RMLL 2014.

Përmbledhtas, thuajse gjysma e fondeve të FSFE-së vjen prej një numri të kufizuar dhuruesish të mëdhenj dhe sponsorizuesish (dhe le të mos harrojmë dhuruesit tanë të hardware-it). Gjysma tjetër vjen prej një numri pafund kontributesh të vogla nga individë dhe kompani, në mënyrë të veçantë nga Anëtarësia Shok. Kontributet e Anëtarësisë Shok kanë treguar rritje të qëndrueshme dhe shpresëdhënëse, me një shtim prej 164% që prej 2010-s. Kjo është shumë gjë e mirë, pasi ata janë baza e pavarësisë financiare të FSFE-së. Në fakt, ata na vendosin në pozicionin e mrekullueshëm për të vazhduar punën tonë për lirinë pa na u dashur të shqetësohemi se mos nismat tona bezdisin dhuruesit tanë të mëdhenj.

Si i shpenzojmë paratë

Kjo ndarje bazohet në përfundimet tona financiare për 2013-n. Shifrat për 2014-n do t’i botojmë sapo të jenë gati; shpërndarja e kostove sipas kategorive të ndryshme pritet të jetë e ngjashme me përfundimet e 2013-s.

Përgjatë thuajse krejt kategorive, pjesa më e madhe e kostove tona janë rrogat e nëpunësve. Kemi një ekip të fortë personash të sprovuar dhe të përkushtuar dhe, duke u paguar atyre një rrogë jetese, u krijojmë mundësinë t’ia përkushtojnë kohën Software-it të Lirë.

Pika më e madhe e shpenzimeve është ndërgjegjësimi i publikut, ku shpenzuam 30% të fondeve tona më 2013-n. Shumica e tyre shkuan për rroga stafi për fushata dhe punë të përgjithshme ndërgjegjësimi publiku. Pjesa tjetër u pagua për pjesëmarrjen e FSFE-së në veprimtari (shumica si kosto udhëtimesh) dhe materiale informative.

Rreth 22% e shpenzimeve tona shkuan për veprimtarinë ligjore të FSFE-së. Këto i përdorën për rrogën e bashkërenduesit tonë ligjor, dhe për udhëtime për në veprimtari të lidhura me çështje ligjore. Një pjesë e madhe e shpenzimeve tona në këtë kategori shkuan për organizimin e konferencës vjetore të Rrjetit Ligjor; kostot për këto veprimtari i mbulojmë përmes sponsorizimesh dhe shitje biletash.

Afërsisht 13% e shpenzimeve tona për 2013-n shkuan për Anëtarësinë Shok. Sërish, shumica e tyre qenë për rrogat e stafit tonë që mbështet anëtarët shok për të qenë ambasadorë të efektshëm të Software-it të Lirë. Atë vit organizuam gjithashtu një takim të bashkërenduesve europianë (që do të përsëritet më 2015-n), dhe mbuluam edhe shpenzime për veprimtari vendore nga grupe Anëtarësie Shok.

Thuajse po aq u shpenzuar edhe për punën e FSFE-së për politikat. Këtu, struktura e shpenzimeve është shumë e thjeshtë. Thuajse krejt fondet që shpenzuam për punë të lidhur me politikat shkojnë për rroga stafi. Shumica e asaj ç’mbetet shërben për të mbuluar kosto udhëtimesh për punë politikash, me Brukselin si vendmbërritjen më të shpeshtë.

Rreth dy përqind e kostove tona për 2013-n qenë për blerje artikujsh që shesim, duke mbuluar kryesisht kosto prodhimi (blerjeje) dhe kohë stafi. Sigurisht që këto kosto u tejkaluan nga paratë që arkëtuam nga shitja e artikujve.

Rreth 20% e kostove tona (19.2% më 2013-n, për të qenë të saktë) janë shpenzime funksionimi, që mbulojnë kosto personeli për mirëmbajtje dhe administrim, takime të ekipit (jemi organizëm mjaft i shpërhapur), qira për zyra, fatura telefonike, e me radhë. Përpiqemi fort t’i mbajmë të ulëta shpenzimet e funksionimit; por nuk i iket dot faktit që një organizëm si FSFE-ja lyp një farë niveli administrimi dhe bashkërendimi, nëse kërkojmë që të mbetet e efektshme.

Ç’pritet për 2015-n

Gjatë muajve të ardhshëm, Komisioni Europian iri do të caktojë orientimin e veprimtarisë së tij për pesë vitet e ardhëm. Gjatë vitit të kaluar, arritëm të vendosim një numër lidhjesh të nivelit të lartë në Komision dhe Parlament, dhe nuk po na durohet t’i shfrytëzojmë. Veç kësaj, po marrim vazhdimisht shumë kërkesa për informacion nga anëtarë të stafit të Komisionit, me të cilët kemi krijuar marrëdhënies të qëndrueshme, dhe që shohin rreze drite për Software-in e Lirë në Bruksel.

Është e rëndësishme të mundemi të intensifikojmë punën tonë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe të përfitojmë nga kjo mundësi për të përmirësuar gjendjen e Software-it të Lirë dhe Standardet e Hapura në nivel BE-je. Prokurimi i software-it, standardizimet, patentat, dhe pavarësia e pajisjeve janë temat qendrore të punës sonë lidhur me politikat.

Dëshirojmë të mbërrijmë te më shumë persona, dhe të shkojmë në më tepër vende ku njerëzit nuk dinë ende gjë për Software-in e Lirë. Kjo është arsyeja që do ta forcojmë më tej rrjetin e vullnetarëve vendorë të FSFE-së dhe grupet e Anëtarësisë Shok. Më 2015-n, planifikojmë të jemi të pranishëm në festivale rruge dhe veprimtari të tjera, në të cilat, deri sot, askush nuk e ka promovuar Software-in e Lirë. Gjatë vitit të kaluar i përmirësuam shumë fletëpalosjet, ngjitësat dhe tjetër material të shtypur tonin. Tani do t’i përkthejmë në më shumë gjuhë dhe do të zgjerojmë shpërndarjen e tyre në biblioteka, kinema, dyqane dhe vende të tjera.

Synimi ynë afatgjatë është të bëjmë të mundur që cilido që dëgjon diçka rreth Software-it të Lirë në Europë të mundë lehtësisht të gjejë dikë afër, që ka njohuri mbi të dhe që do ta ndihmonte në këtë drejtim. Ja pse do të përqendrohemi në mbështetjen e veprimtarive vendore me rrugë të ndryshme. Po përgatisim një praktikë për bashkërenduesit europianë të ekipeve të vullnetarëve, që të mund t’i ndihmojmë ata dhe ekipet e tyre të bëhen veprimtarë më të efektshëm. Do t’u krijojmë mundësinë veprimtarëve të vizitojnë grupe Anëtarësie Shok në vende të tjera, t’u mësojnë të tjerëve aftësitë e tyre, dhe të shkëmbejnë përvojë. Dhe do t’i bëjmë materialet tona promocionale të passhme në më tepër gjuhë.

Teksa përgatitemi për t’u përballur me këto sfida, ju jemi mirënjohës për përkrahjen tuaj dhe pasionin tuaj të pandalshëm për liri!

Sinqerisht,
Karsten Gerloff
President, Free Software Foundation Europe