"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

Buletin

Buletini i FSFE-së - Dhjetor 2014

Shkruar nga  më  

Më shumë kërkesë nga institucionet e BE-së

Komisioni i ri Europian po përcakton drejtimin e politikave të veta për pesë vitet e ardhshme. FSFE-ja është në kontakte të shpeshta me stafin e Komisionit, që sheh në Bruksel rreze drite për Software-in e Lirë. Duam të arrijmë ta përdorim këtë impuls për të nxitur ndryshime në prokurimin e software-it, standardizimin e tij, dhe për zgjedhje të lirë pajisjesh. Për këtë, presidenti ynë, Karsten Gerloff mori pjesë në disa takime.

Në nëntor Parlamenti Europian (PE) organizoi një konferencë për të njohur eurodeputetët me shërbimet TI që mund të përdorin në parlament. Gjatë konferencës u zhvilluan diskutime të drejtuara nga Adina Valean, zëvendëspresidentja e re PE-së, e ngarkuar me TIK-un, dhe një pjesëmarrje nga Giancarlo Villela, drejtori i seksionit TI të PE-së. Pas diskutimeve, Karsteni pati mundësinë të bëjë disa shënime të shkurtra rreth transmetimit të drejtpërdrejtë nga institucione të BE-së, DebianParl-i dhe bllokimeve nga ana e tregtuesve.

Në fillim të Dhjetorit Karsteni qe sërish në Parlament, këtë radhë në praktikën mbi “Standarde të Hapura për prokurimet TIK”. Vlera e njëmendtë e këtyre veprimtarive, siç ndodh shpesh, qe te njerëzit e pranishëm aty. Praktika ofroi për bashkësinë e vogël që ushtron trysni për Software të Lirë dhe Standarde të Hapura një mundësi për t’u takuar dhe shkëmbyer të rejat. Në këtë mënyrë, në të ardhmen mund të punojmë tok me ta për ndryshime pozitive.

Nuk ka re, thjesht kompjuterët e të tjerëve

Një tjetër veprimtari në të cilën mori pjesë Karsteni qe paraqitja e raportit mbi punimin në “re” me kompjuterat dhe ndërveprueshmërinë, nga ana e organizmit lobues me bazë Brukselin, ECIS. Karsteni e dokumentoi takimin në postimin e tij të blogut “Disa rekomandime të arsyeshme lidhur me funksionimin në re të kompjuterëve”.

Vetëm pak ditë më pas, ngjitësat tona të rinj “nuk ka re, thjesht kompjuterët e të tjerëve” mbërritën në zyrën tonë. Na erdhën mjaft përshtypje të mira për këta ngjitësa, dhe i kemi shtuar tani te paketat tona promocionale. Kemi në plan të shtojmë disa artikuj të tjerë me këtë slogan, gati për stendën tonë në FOSDEM, nga 31 janari më 1 shkurt 2015, në Bruksel.

Përparim me fletëpalosjet “vetëmbrojtje email-i

Përveç ngjitësave të rinj, tani mund të porositni edhe fletëpalosje të reja, për promovimin e “udhërrëfyesit mbi vetëmbrojtjen e email-it”, punuar nga organizmi ynë motër. Fillimisht këtë fletëpalosje e prodhuam në gjermanisht, për manifestimin vjetor të Berlinit në shtator, “liri, jo frikë”. Më pas, vullnetarë nga krejt Gjermania porositën dhe shpërndanë të tillë. Për shembull, në një kinema dhanë një fletëpalosje për cilindo që bleu një biletë për dokumentarin mbi Snowden-in, “Citizienfour”. Ndërkohë na u desh të riporositnim versionin gjermanisht për herë të tretë dhe që prej fundit të nëntorit kemi dërguar versionin anglisht për përkrahës të Software-it të Lirë kudo në Europë.

Në javët e ardhshme përkthyesit dhe grafistët tanë do të përfundojnë versione në Kinezçe, Holandisht, Frëngjisht, Greqisht, Italisht dhe Spanjisht. Për 2015-n dëshirojmë t’u krijojmë mundësinë përkrahësve vendorë të Software-it të Lirë ta shpërndajnë këtë dhe fletëpalosje të tjera në biblioteka, universitete, shkolla, kinema, kompani, restaurante dhe kafe, dyqane dhe vende të tjera.

Përkthyesit e FSFE-së: janë thjesht të shkëlqyer

Kjo na sjell te një shënim kaq të nevojshëm falënderimi. Gjatë 12 muajve të fundit kemi botuar çdo muaj buletinin. Dy nga botimet u shkruan nga vullnetari ynë Heiki ”Repentinus” Ojasild, që redaktori juaj të shijonte edhe ai pushimet. Buletini ynë, mesatarisht, mund të kihet në 6 gjuhë (4 gjuhë, më e pakta, 9 gjuhë më e shumta). Kemi botuar buletine në Anglisht, Frëngjisht, Greqisht, Gjermanisht, Holandisht, Italisht, Portugalisht, Rumanisht, Serbisht, Spanjisht, dhe Shqip.

Redaktori juaj është krenar që punon me një ekip vullnetarësh kaq të përkushtuar. Ata përkthejnë buletinin, fletëpalosjet e përmendura më sipër, plus lajme të tjera nga FSFE-ja. Ata u krijojnë mundësinë më tepër njerëzve anembanë botës të lexojnë për Software-in e Lirë në gjuhën e nënës, dhe ndaj janë pjesë kyçe e FSFE-së. Ndaj redaktori juaj do të donte ta falënderonte thellësisht ekipin tonë në lulëzim të përkthyesve për këtë vepër të rëndësishme.

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: Merrni një kartë të mençur dhe na përkrahni

Vitin e ardhshëm, do të ushtrojmë më shumë trysni më shumë trysni se kurrë për ndërthurjen e lirisë së software-it në indet e shoqërisë tonë. Për t’i bërë të mundur organizmit të intensifikojë punën e vet me Komisionin Europian dhe të rrisë numrin e personave të ndjeshëm ndaj Software-it të Lirë, dhe për të vazhduar punën tonë na duhen ende 190 mijë euro për 2015-n.

Si një individ, rruga më e mirë për të përkrahur financiarisht punën e FSFE-së është të bëheni një Anëtar Shok (anëtar që, veç të tjerash, kontribuon ekonomikisht te FSFE-ja). Puna e FSFE-së për një shoqëri të lirë përfiton drejtpërsëdrejti nga të gjitha kontributet e Anëtarësisë Shok.

Anëtarëve Shok u jepet një kartë të mençur Anëtarësie Shok, e fjalës së fundit, e cila, tok me software-in e lirë GnuPG për fshehtëzime dhe me një lexues kartash, mund të përdoren për të nënshkruar dhe fshehtëzuar email-e, për hyrje të sigurt përmes SSH-së në një kompjuter prej një makine potencialisht të pasigurt, ose për depozitimin e kyçeve të fshehtëzimit të hard diskut të përdoruesit. Meqë kyçi i fshehtëztimit është i depozituar te vetë karta, është thuajse e pamundur të vidhet.

Falënderojmë krejt vullnetarët, Anëtarët Shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE