"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

Buletin

Buletini i FSFE-së - prill 2016

më  

Direktiva e BE-së mbi Radiokomunikimet kërcënon lirinë e software-it

Ne botuam pozicionet tona lidhur me Direktivën mbi Pajisjet Radio 2014/53/EU (pranuar në maj të 2014-s), që u kërkon prodhuesve të pajisjeve të kontrollojnë përputhshmërinë e software-it të çdo pajisjeje. Në pamje të parë, kjo tingëllon e arsyeshme, por ka implikacione të forta negative mbi të drejtat e përdoruesve dhe Software-in e Lirë, konkurrencën e ndershme, risitë, mjedisin, dhe vullnetarizmin – kryesisht pa përfitime kushedi çë për sigurinë. Direktiva lypset të sendërtohet nga shtetet anëtare përpara 13 qershorit 2016. Kemi formuluar disa propozime për institucione të BE-së dhe shtetet anëtare të BE-së, me hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara kërkon që software-i i financuar me para publike të botohet si Software i Lirë

Meqë një nga synimet tona kryesore për 2016-n është të ushtrojmë trysni për të kërkuar që krejt software-i i financuar me para publike në BE të botohet si Software i Lirë, i shohim me miratim disa hapa konkretë të hedhur në këtë drejtim në anën tjetër të Atlantikut. Veçanërisht, në fillim të marsit, qeveria e Shteteve të Bashkuara botoi një draft të Politikave mbi Kodin Burim, për të vjelë komentet e publikut deri më 11 prill. Në to kërkohet që çdo agjenci publike të botojë si Software të Lirë software të krijuar posaçërisht për to, që të përdoret, studiohet, ndahet me të tjerë dhe përmirësohet si nga të tjera agjenci publike, ashtu edhe nga publiku i përgjithshëm.

Do të donim që BE-ja ta ndiqte këtë shembull dhe të dalë me politika të ngjashme edhe në shkallë europiane. Nëse keni mendime dhe komente lidhur me Politikat mbi Kodin Burim të ShBA-ve, ju lutemi, dërgojini ato te lista jonë e diskutimeve në anglisht ose drejtpërdrejt te Matthias Kirschner. Do të donim të garantonim marrjen parasysh të ideve tuaja përpara se të bisedojmë me politikanë europianë për këtë temë.

Prej bashkësisë

Ç’kemi bërë tjetër?

Hidhuni Në Veprim

Për krejt ju përkthyesit e mrekullueshëm! Na ndihmoni të zgjerojmë shtrirjen tonë, duke përditësuar faqen 'Përhapni Fjalën' për porosi të materialeve tona promocionale në gjuhën tuaj. Deri tani, faqja gjendet në anglisht, gjermanisht, holandisht dhe shqip, por do të ishte shumë e dëshirueshme të përfshihej në këtë listë çfarëdo gjuhe tjetër.

Lajme të mira Software-i të Lirë

Zyra e Patentave në Indi u tha "Jo!" patentave të software-it në udhëzimet e veta të përditësuara, të cilat deklarojnë qartazi se çfarëdo pretendimi për patentë që bazohet vetëm në software, nuk ka për t’u pranuar sipas ligjit indian të patentave. Në Poloni, strategjia e re eQeveri këshillon që për software-in e financuar me para publike për një sistem të ri të regjistrave publikë duhet parë mundësia e botimit nën një licencë Software-i të Lirë. Suedia ka përditësuar listën e 'standardeve të Hapura TI' që mund të bëhen të detyrueshëm kur blihet software dhe shërbime të lidhura me të. Për t’u përfshirë në listë, standardet TI duhet të zhvillohen haptazi dhe publikisht, s’duhet të kufizojnë ripërdorimin e standardit, dhe patentat thelbësore për standardin duhet të ofrohen lirisht.

Falënderime për krejt vullnetarët , Anëtarët Shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,

redaktorët tuaj, Polina Malaja dhe Jonas Öberg FSFE