"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

Buletin

Buletini i FSFE-së – qershor 2014

Shkruar nga  më  

Siguria është e ndërvarur: Tani jemi të tërë përdorues të Gmail-it

Shqetësoheni dhe kujdeseni për privatësinë dhe, ose paguani për një mundësues email-i, ose mundet edhe që xhironi shërbyesin tuaj për email, për të ruajtur autonominë, kontrollin dhe privatësinë e email-eve tuaj. Këtë e bëni ngase dëshironi të siguroheni që asnjë nga kompanitë e mëdha të mos ketë kopje të krejt email-it tuaj personal. Por, prapëseprapë, kjo nuk i pengon kompanitë e tjera të fusin duart në të dhënat tuaja. Nuk mjafton thjesht të shqetësoheni dhe kujdeseni për sigurinë tuaj, nëse po përpiqeni ta rrisni atë. Lypset të bindni të tjerët, ata me të cilët shkëmbeni mesazhe, ta rritin sigurinë e tyre gjithashtu: siç shprehet Jacob Appelbaum, siguria është e ndërvarur.

Anëtari i bordit të FSF-së, Benjamin Mako Hill, pyeti veten se sa nga email-et e tij kanë përfunduar në duart e kompanive të tilla si Google. Ndaj shkroi një program për të kontrolluar dhe analizuar krejt email-et e tij që nga prilli i 2004-s (koha kur u shfaq Gmail-i së pari). Lexojeni vetë se ç’zbuloi Beniamini, ç’gjetën Karsten Gerloff-i i FSFE-së dhe Hugo Roy, kur kryen të njëjtën provë, dhe pse të mos i provoni dhe ju vetë, për email-in tuaj, këto programthe?

Ç’është ajo që keni në xhep, dritë dore apo spiun?

Shumë programe që njerëzit instalojnë në pajisjet e tyre Android dhunojnë sigurinë e tyre. Është bërë e rëndomtë që këto programe t’u kërkojnë përdoruesve të pranojnë terma dhe kushte të cilat as nuk lexohen dot, që pasi instalohen, munden të tregojnë se ku gjendet pajisja (dhe kështu edhe përdoruesi) në atë çast, dhe që munden të hyjnë dhe të përdorin të dhëna personale, të tilla si libër adresash të përdoruesit ose mesazhe të tij. Dhe kështu, një gjë në dukje e pafajshme, fjala vjen një dritë dore në telefon, mundet të dhunojë privatësinë e përdoruesit.

Për zotëruesit e pajisjeve celulare është e rëndësishme të kenë një shitore programesh që ofron përjashtimisht Software të Lirë. Ngaqë kjo nënkupton se kodi burim të mund të kontrollohet nga palë të pavarura nga tregtuesi, këto mund të kontrollojnë se ç’bën vërtet një program, dhe të zbulojnë ose edhe heqin drejtpërdrejt mekanizma të dëmshëm. Përfundimi do të ishte një vend që ofron software me licenca të cilat i respektojnë të drejtat e përdoruesit, në vend se t’i dhunojnë ato.

Muajt e fundit kemi parë se gjithnjë e më shumë njerëz shqetësohen lidhur me software-in në pajisjet e tyre celulare. Redaktori i buletinit ka përmbledhur atë që po ndodh në kuadrin e fushatës Çlironi Android-in Tuaj, përfshi promovimin në Greqi, gjendjen e përditësimeve dhe përkthimeve të fletëpalosjeve për F-Droid, një intervistë me programuesin e F-Droid-it, dhe mbi pjesëmarrjen e tij në një veprimtari të parlamentit gjerman mbi mbrojtjen e konsumatorit në sferën e telefonisë celulare.

Një tjetër makth sigurie: DRM

Pas një zbatice të mundshme DRM-je në Europë, është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi rreth kësaj çështjeje. Nuk mund të rrimë të heshtur kur disa kompani e përdorin Administrimin Dixhital të Kufizimeve për të hartuar ligjet e tyre të të drejtave të kopjimit, për të na kufizuar, dhe për të na dobësuar sigurinë tonë në TI. Mjaft organizma, përfshi EFF-në, April-in, dhe ne, morën pjesë në Ditën Kundër DRM-së, të organizuar nga FSF-ja për të nxjerrë në pah rreziqet e DRM-së. FSFE-ja e shfrytëzoi rastin për t’u lidhur me Komisionin Europian përmes një Letre të Hapur mbi DRM-në në HTML5. Shpjeguam se DRM-ja bie ndesh drejtpërsëdrejti me interesat e shumicës së gjerë të përdoruesve të Internetit kudo.

Vetëm pak ditë më pas bashkësia e Software-it të Lirë mori një lajm të hidhur nga Mozilla: DRM-ja do të sendërtohet në Firefox (pjesa përkatëse quhet EME). Reagimet shkojnë nga dënimi që i bën FSF-ja partneritetit mes Mozilla-s dhe Adobe-s, te përligjja e vendimit të saj nga vetë Mozilla , te të tjerë që e përkrahin, dhe deri te Glyn Moody që kritikon përmes krahasimit të misionit të Mozilla-s me veprimin e saj të fundit. Si përherë, na intereson të dimë mendimin tuaj. Ç’mendoni rreth vendimit të Mozilla-s dhe arsyetimit të saj? Ç’mund të bëjë bashkësia e Software-it të Lirë si kundërpeshë të kësaj lëvizjeje? Na e bëni të ditur te lista e diskutimeve publike.

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: Përvoja juaj me burime programimi për fëmijë

Veç botimit të lajmeve mbi Software-in e Lirë në arsim ekipi ynë për arsimin u jep përgjigje mjaft pyetjeve nga njerëz që dëshirojnë të përdorin më tepër Software të Lirë në arsim.

Meqë ekipit të arsimit i kanë ardhur kërkesa për burime të mira për t’u mësuar programim fëmijëve, Guido Arnold-i mendoi se përgjigja (ose më mirë një përmbledhje e përgjigjeve) mund të ishte me interes edhe për të tjerët. Ndaj e botoi përmbledhjen. Për të përmirësuar pjesën e sajtin tonë për arsimin, ju lutemi të na jepni përshtypjet dhe sugjerimet tuaja mbi këto burime. Sa ju pëlqejnë, a keni përvojë me ndonjë prej tyre, ç’qe e mirë, ku patët probleme, dhe cilat burime kemi harruar?

Faleminderit krejt vullnetarëve, Anëtarëve Shok dhe korporatave dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE