"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

Buletin

Buletini i FSFE-së - tetor 2014

Shkruar nga  më  

Një gjykatë italiane përkrah shitjen veçmas, jo si paketë më vete, të software-it dhe hardware-it

Kur blihet një laptop, mund të jetë e vështirë të shmanget pagesa e një licence Microsoft Windows, ngaqë mjaft prej laptopëve shiten me një të tillë brenda paketës. Kjo “Taksë Windows” i rrit artificialisht çmimet e hardware-it për përdoruesit e Software-it të Lirë që nuk duan të përdorin sistem operativ të Microsoft-it. Ne, si përdorues të Software-it të Lirë, duam të përkrahim zhvillimin e Software-it të Lirë, në vend se të atij jo të lirë, të llojit Microsoft Windows.

Që prej 2008-s kujdesemi për një faqe wiki me këshilla për konsumatorët që duan të shmangin financimin e zhvillimit të software-it jo të lirë, dhe për më shumë se një dhjetëvjeçar kemi biseduar rreth kësaj teme me politikanë dhe organizma të mbrojtjes së konsumatorit. Pavarësisht kësaj, lidhur me temën ka vetëm përparim të ngadaltë, dhe do të duhen vite që të ndryshojë kjo gjendje në Europë. Për synime të tilla afatgjata, kapja e objektivave afatmesme është e rëndësishme. Një fitore të tilla e patëm muajin e fundit.

Gjykata e Lartë e Italisë vendosi që blerësi i një laptopi ka të drejtën të rimbursohet me çmimin e licencës për Microsoft Windows të cilën qe i detyruar ta blinte tok me kompjuterin. Gjykatësit kritikuan ashpër praktikën e shitjes së PC-ve vetëm tok me një sistem operativ jo të lirë, duk e cilësuar “politikë tregtare e shpërndarjes së detyruar”. Gjykata e konsideroi këtë praktikë si “me prirje monopoliste”. Ajo theksoi gjithashtu se praktika e shitjes bashkë nënkupton që përdoruesi i rëndomtë është i detyruar të përdorë aplikacione shtesë jo të lira, për shkak problemesh përputhshmërie dhe ndërpunueshmërie, do apo nuk do ai.

Tani autoriteteve italiane u duhet ta shndërrojnë këtë vendim në një fitore reale për konsumatorët, duke bërë të mundur që blerësit e kompjuterave të mund të zgjedhin pajisjen e tyre me çfarëdo sistemi operativ që duan, ose pa një të tillë. Pas kësaj, shpresojmë të arrijmë të bindim vende të tjera në Europë të ndjekin shembullin e dhënë nga Italia, ose të gjejmë një zgjidhje të problemit në shkallë europiane.

Administrata publike europiane që përdorin Software-in e Lirë

Shpesh ka një prirje në media, dhe edhe prej nesh, të përqendrohemi në lajmet e këqija rreth përdorimit të Software-it të Lirë në administratën publike. Në këtë edicion, do të përqendrohemi në shembuj të mirë nga muaji i fundit. Atëherë, ka lajme të mira lidhur me suita zyrash Software të Lirë: Bundesrechenzentrum-i i Austrisë, qendra e kompjuterit pronë e qeverisë federale, lëvdon gamën e gjerë të zbatimeve të Apache OpenOffice-it. Ata vlerësojnë faktin që “zgjidhja mund të përshtatet për nevojat e qendrave të të dhënave, të integrohet në aplikacionet e tyre të specializuara, dhe se lejon gjithashtu që dokumentet të krijohen dhe parashtrohen vetvetiu dhe gjysmë-vetvetiu. OpenOffice është suita standarde për zyra në qendrën e kompjuterit që prej 2008, e instaluar në 12000 PC në krejt organizmin.” Për më tepër, administratat publike të qyteteve italiane të Todit dhe Ternit po kalojnë në LibreOffice. Ata po ndjekin shembullin e provincës italiane të Peruxhias, që përdor LibreOffice në krejt 1200 PC-të e saj dhe të Autoritetit Vendor të Shëndetit për Peruxhian, që suitën për zyra e ka instaluar në 600 PC.

Administrata publike frënge po përdor një suitë zyrash nga Software-i i Lirë në 500 000 desktopë. Edhe pse thanë se kalimi në Software-in e Lirë qe i vështirë, qenë në gjendje t’i zgjidhnin problemet. Suksesi i projektit i detyrohet pjesërisht dy kontratave që ministritë kanë lidhur me mundësues shërbimesh ICT. Kontratat mbulojnë asistencë për 260 aplikacione Software-i të Lirës, dhe ekipi i asistencës garanton që arnimet e bëra për ministritë të jepen te projektet përkatës të software-it.

Të gjelbrit në Saksoni/Gjermani i kërkojnë qeverisë federale të kryejë një studim fizibiliteti mbi migrimin në Software të Lirë. “Grupi politik, me vetë ata si përdorues të software-it të lirë që prej dhjetorit të 2011-s, thotë se kosto më të ulëta në sektorin TI dhe përparësitë në sigurinë TI do të duhej ta shtynin administratën publike” drejt përdorimit të Software-it të Lirë. Ata mbrojnë pikëpamjen se varësia nga software-i pronësor “u jep korporatave të mëdha akses dhe ndikim në rrjedhat e brendshme zyrtare të punë, si edhe në komunikime dhe të dhëna jopublike të shtetasve të një vendi.”

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: Jepni mendimin tuaj rreth Manifestit mbi të Dhënat e Përdoruesit

Është hedhur në qarkullim versioni 2 i Manifestit mbi të Dhënat e Përdoruesit. Synimi i këtij manifesti është të përkufizojë të drejtat themelore të përdoruesve mbi të dhënat e tyre në epokën e Internetit: të kontrollojnë aksesin në të dhënat e tyre (dhe tejtëdhënat), të dinë si dhe ku ruhen të dhënat dhe të jenë të lirë të zgjedhin një platformë. Disa projekte po punojnë tashmë për përkrahjen e manifestit, për t’u dhënë përdoruesve të tyre këto të drejta! Tani për tani, versioni 2 është i botuar si draft në një wiki që lejon komente publike.

U kërkojmë krejt përkrahësve të Software-it të Lirë të japin mendimin e tyre mbi manifestin, që të mund të përmirësohet më tej, dhe të mundemi të vendosim nëse ne si FSFE duam ta përkrahim. Ju lutemi, jepni mendimin tuaj ju vetë, diskutojeni manifestin në listat tonë të diskutimeve, dhe kërkojuni mendimin organizmave të tjerë të Software-it të Lirë dhe edhe nëse do ta përkrahnin në këtë formë.

Falënderime për krejt vullnetarët, Anëtarët Shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE