"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

Buletin

Buletini i FSFE-së - gusht 2015

Shkruar nga  më  

Përgjigje konsultës së BE-së mbi të drejtat e kopjimit, patentat, dhe sekretet tregtare

Në fillimet e këtij muaji, FSFE-ja iu përgjigj “Konsultës mbi respektimin e pronësisë intelektuale në procedurat e prokurimeve publike”, të mbajtur me nismën e Komisionit Europian. Sipas Komisionit, qëllimi fillestar i konsultës qe “mbledhja e provave, opinioneve dhe përshtypjeve lidhur me respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe sekreteve tregtare gjatë procedurave të prokurimit publik”, dhe të shprehej nëse për këtë temë ka nevojë për një udhërrëfyes për autoritetet publike.

Në përgjigjen tonë, e rivumë gishtin në disa çështje që kanë nevojë të trajtohen te tema e përgjithshme e konsultës. Për shembull, lidhur me patentat mbi software-in shpjeguam se është e pamundur të prokurohet software i cili nuk cenon asnjë patentë, dhe se të drejtat e zotëruesve të të drejtave të kopjimit nuk duhet të zhvleftësohen nga patenta palësh të treta. Për më tepër, FSFE-ja mbrojti idenë se çdo software i financuar me paranë publike do të duhej të publikohej dhe shpërndahej si Software i Lirë, si parazgjedhje, që cilido të mund ta përdorë software-in për qëllimet e veta dhe kështu të ofrojë shërbime më të mira për autoritetet publike.

Praktikantja jonë e tanishme, Polina Malaja i përmblodhi përgjigjet tona dhe shkroi rreth konsultës në blogun e vet, si dhe i hodhi përgjigjet tona te wiki i FSFE-së.

Si t’ia bëjmë me kufizimet në nivel firmware-i

Synimi i FSFE-së është t’u sigurojë atyre që zotërojnë pajisje TI të kenë gjithnjë kontrollin mbi to, dhe vetëm ata. Gjatë viteve të fundit ky parim themelor është goditur nga zhvillime të tilla si UEFI “Secure Boot”, ose BIOS pronësorë. Këtu bëhet fjalë për software të shkallës së ulët që xhiron sapo ndizni kompjuterin tuaj. Ky gatit hardware-in dhe mund të hartohet i tillë që t’ua pengojë përdoruesve instalimin e software-it që nuk është “autorizuar” nga prodhuesi. Ky fakt qe gjithashtu një nga temat në fjalën e redaktorit tuaj të mbajtur në Akademy-në e këtij viti në Korunja të Spanjës, ku jepen disa ide se si mund të shmangen këto kufizime të trupëzuara në produkt.

Një nga rrugët për t’iu kundërvënë këtyre zhvillimeve është pasja e firmware-i alternativ nisjeje. Ka disa mënyra për të zëvendësuar firmware-in pronësor të trupëzuar në produkt me të ngjashëm të lirë. Anëtari ynë shok, Kevin Keijzer, shpjegon me hollësi se si "të rregullohet një Beaglebone Black për të instaluar në të Coreboot", dhe se si "të hidhet Libreboot në një Lenovo X200 me Raspberry Pi". Një tjetër anëtar shok, André Ockers, shpjegon në blogun e tij se si kaloi një Thinkpad T60p në Trisquel dhe Libreboot.

Veç punës për firmware alternativ dhe të lirë nisjesh, na duhet edhe të shohim më tej në perspektivë. Na duhet të mendojmë se si t’i shtrijmë idetë e Software-it të Lirë te hardware-i. Richard Stallman-i shkroi rreth kësaj në artikullin e tij "Why we need free digital hardware designs".

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: Kontribuoni te prodhuesi i sajtit tonë statik

Që prej 2002-it, FSFE-ja, për praninë e vet në internet, përdor një prodhues sajti statik . Versioni i parë qe shkruar nga Jonas Öberg, tanimë drejtor ekzekutiv i FSFE-së. Muajin e fundit, te sajti provë hodhëm një version të përditësuar. Në postimin te blogu i tij, përgjegjësi i sistemit të FSFE-së, Paul Hänsch, përmbledh veçoritë e reja, dhe kufizimet. Ndaj nëse jeni të interesuar të përmirësoni nga ana teknike praninë e FSFE-së në internet, lexojeni atë dhe lidhuni me ekipin tonë përkatës.

Falënderime për krejt vullnetarët, Anëtarët Shokë dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE