We are intervening in the Apple vs.EC litigation. Become a proud supporter of the FSFE and join us in defending software freedom from monopoly control!

Buletin

Buletini i FSFE-së - mars 2016

më  

Dita "E dua Software-in e Lirë" 2016

Për të gjashtin vit rresht i kërkuam kujtdo që ditën e Shën Valentinit të shprehë mirënjohjen dhe vlerësimin e tyre ndaj kontribuesve në Software-in e Lirë. Hidhini një sy raportit tonë #ilovefs 2016 dhe shihni se kujt i shkoi mirënjohja këtë vit, përmes postimesh, fotosh, punësh grafike, memesh, shënimesh personale, etj. Mos harroni t’i vini shenjë 14 shkurtit të ardhshëm si Dita "E dua Software-in e Lirë", që të vazhdohet kjo traditë e bukur e mirënjohjes ndaj njerëzve dhe punës së palodhur të gjithkujt pas Software-it të Lirë. Falënderojmë krejt pjesëmarrësit që gjetën kohë të thonë "faleminderit" dhe që e shndërruan #ilovefs 2016 në një sukses të tillë!

"S’ka re" u përhap në mënyrë virale

Pikërisht para Ditës "E dua Software-in e Lirë", falë një postimi spontan në Reddit, patëm mbi 200 porosi për materiale tonat promocionale në një interval 48 orësh. Sa për krahasim, gjatë 2015-s morëm rreth 370 porosi gjithsej. Pas 24 orësh na kishin mbërritur më shumë porosi se sa zakonisht në gjashtëmujor. Shumica e porosive kërkonin materialin "s’ka re", por, veç tij, njerëzit porositën edhe fletëpalosjen tonë me të dhëna bazë mbi Software-in e Lirë, fletëpalosjen mbi GnuPG-në, dhe atë mbi F-Droid-in.

Takimi Europian për Politika të Software-it të Lirë 2016

Në fund të janarit, tok me Open Forum Europe organizuam në Bruksel një takim para FOSDEM-it, me grupe europiane aktive në politika të Software-it të Lirë. Qëllimi i takimit qe njohja me veprimtarinë e njëri-tjetrit dhe shkëmbimi i mendimeve, me theksin te veprimet e lidhura me politika publike. Morën pjesë gjithsej 19 organizma. Veç tyre, në takim morën pjesë edhe eurodeputetja Julia Reda, dhe një përfaqësues i degës TI të Komisionit Europian, Pierre Damas, për të paraqitur punën e instituteve të BE-së në fushën e Software-it të Lirë.

Nga bashkësia

Ç’kemi bërë tjetër?

Hidhuni Në Veprim

Kemi ende stok plot ngjitës "s’ka re" dhe tjetër material informativ! Na ndihmoni të përhapim në bashkësinë tuaj vendore fjalën rreth lirisë së software-it, duke porositur fletëpalosje, ngjitës, kartolina dhe afishe tonat.

Lajme të mira mbi Software-in e Lirë

Qeveria frënge po rishikon kontratën e vet ekzistuese të mbështetjes së Software-it të lirë, të nënshkruar më 2011-n, dhe u ka kërkuar bashkësive të Software-it të Lirë dhe publikut të japin ndihmesën e tyre në hartimin e kontratës së ardhshme të kuadrit të punës për shërbime dhe asistencë Software-i të Lirë. Ndërkohë, parlamenti frëng ka miratuar një projektligj paraprak për një Republikë Dixhitale, që nxit përdorimin e Software-it të Lirë nga administratat publike, dhe që e konsideron informacion publik kodin burim të software-it të zhvilluar nga ose për administrata publike. Shkolla në kryeqytetin e Estonisë, Talin, po kalojnë gradualisht drejt Software-it të Lirë, pasi administrata e qytetit vendosi në janar të 2015-s të kalojë në Software-in e Lirë. Deri në shtator 2015, më shumë se 4000 kompjutera dhe kompjutera portativë në 50 shkolla në Talin xhirojnë me Software të Lirë. Në Gjermani, Sigurimet Federale të Pensioneve, që janë më të mëdhatë në vend, po shtojnë përdorimin e Software-it të Lirë duke botuar një ftesë për tender në të cilën kërkohet asistencë për shërbimet e veta të bazuara në Software-in e Lirë.

Falënderojmë krejt vullnetarët , Anëtarët Shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,

redaktorët tuaj Polina Malaja dhe Jonas Öberg FSFE