We are intervening in the Apple vs.EC litigation. Become a proud supporter of the FSFE and join us in defending software freedom from monopoly control!

Buletin

Buletini i FSFE-së - shtator 2015

Shkruar nga  më  

FSFE-ja përkrah kontrollin nga ana e përdoruesve të të dhënave të tyre në internet

Tashmë ne përdorim shërbime internet për gjithçka dhe u japim atyre gjithnjë e më shumë të dhëna tonat. Por ndërkohë humbasim më shumë se kurrë edhe kontrollin mbi të dhënat tona. Tok me organizma të tjera, FSFE-ja përkrah botimin e Manifestit 2.0 Mbi të Dhënat e Përdoruesve i cili promovon të drejtat themelore të përdoruesve të kontrollojnë të dhënat e tyre, teksa përdorin shërbime në internet. Sipas manifestit, përdoruesit duhet të kenë kontrollin se kush mund t’i përdorë të dhënat e tyre, duhet të dinë nëse të dhënat e tyre depozitohen nga shërbimet në internet, dhe duhet të kenë mundësi të zgjedhin lirisht një platformë, pa qenë të detyruar t’u nënshtrohen bllokimeve nga ana e tregtuesve. Manifesti është një pikënisje e goditur për debatin mbi të drejtat e përdoruesve në internet, dhe FSFE-ja pret që përpjekjes për shërbime në internet që respektojnë të drejtat themelore të përdoruesve t’i bashkohen edhe organizma të tjera.

Rrugëzues të detyruar: Kaq e pat edhe një tjetër

Rrugëzuesi, edhe pse shpesh një pajisje e mbuluar nga pluhuri në ndonjë qoshe të shtëpisë, është pjesë e rëndësishme e rrjetit tuaj vendor dhe e telefonit tuaj. Mjaft përdorues në Gjermani nuk e kanë në pronësi këtë pajisje, edhe pse e kanë në shtëpi dhe paguajnë për të. Kështu është, të paktën deri sot. Më 12 gusht, Ministria Federale Gjermane e Ekonomisë (BMWi) miratoi një projekt-ligj të ripunuar që do t’i çlironte përdoruesit nga përdorimi i detyruar i rrugëzuesve të caktuar. Projekti siguron që përdoruesit e internetit në Gjermani mund të përdorin çfarëdo rrugëzuesi që duan, për t’u lidhur në internet.

Projekt-ligji tani është kaluar në Parlamentin Federal (Bundestag) dhe Asamblenë Federale (Bundesrat). Deri tani, komentet ceknin vetëm një dykuptimësi të vogël formale, por na duhet të sigurojmë që ky ligj të miratohet pa ndonjë ndryshim negativ dhe që më pas të vihet në jetë. Kemi një njoftim të përditësuar të hollësishëm i cili përshkruan edhe se si mund të ndihmonit tani në Gjermani! Veç kësaj, e kemi përmbledhur çështjen dhe po përditësojmë në mënyrë konstante rrjedhën kohore, që kështu, nëse kjo temë hapet në vendin tuaj, të mund të ripërdorni argumentet tona.

Bashkërendues i ri gjerman dhe rreth shkrirjes së shoqatës gjermane

Në postimin te blogu i vet, redaktori juaj përmblodhi procesin e ristrukturimit të FSFE-së përmes shkrirjes së përfaqësisë së fundit në një vend, e njohur si FSFE Chapter Germany e.V. Për këtë hap qe vendosur në nëntorin e vitit të kaluar, me synim lehtësimin e peshës burokratike që lidhet me mirëmbajtjen e një enti ligjor. Por, siç mund ta lexoni te artikulli, shkrirja e një organizmi nuk është aq e lehtë sa duket; por shpresojmë ta plotësojmë këtë proces në prill të vitit të ardhshëm.

FSFE-ja është e lumtur të njoftojë që Max Mehl-i dhe Björn Schießle u bënë muajin e kaluar bashkërenduesit e rinj të ekipit gjerman, dhe që nga sot e tutje nuk do të shpenzojnë orë të shumta në vit duke u marrë me burokracira, shpresojmë. Që të dy kanë qenë pjesë e FSFE-së për një kohë të gjatë dhe na kanë ndihmuar të arrijmë synimin tonë të aftësimit të njerëzve të kontrollojnë teknologjinë. Mu tani së fundi, Bjorni shkroi një artikull një blogun gjerman Netzpolitik.org rreth Manifestit Mbi të Dhënat e Përdoruesve (shihni më sipër), dhe Maksi sapo publikoi një përditësim mbi rrugëzuesit e detyruar, përmendur më sipër, tok me një artikull në Netzpolitik.org rreth kësaj teme.

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: përktheni dhe përmirësoni përkthimet e deklaratës mbi misionin tonë

"organizëm jofitimprurës që fuqizon përdoruesit të kontrollojnë teknologjinë. Software-i prek thellësisht krejt aspektet e jetës sonë. Është e rëndësishme që kjo teknologji të na fuqizojë, jo të na kufizojë. Software-i i Lirë i jep kujtdo të drejtën..." Kështu fillon deklarata e misionit të FSFE-së, e përditësuar së fundi. Shpresojmë që të na ndihmojë të shtojmë numrin e personave që kuptojnë se çfarë bëjmë. Kemi tashmë përkthimin në anglisht, finlandisht, greqisht, holandisht, italisht, portugalisht, shqip, turqisht.

Ju lutemi, na ndihmoni ta kemi në më tepër gjuhë, dhe në kontrollin e përkthimeve ekzistuese për lexim të lehtë nga kushdo.

Falënderime për krejt vullnetarët, anëtarët shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE